Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, ku ka qëndruar për disa orë në kuadër të hetimeve që lidhen me projektin strategjik të aeroportit të Vlorës.
Burime nga organi i akuzës konfirmojnë se marrja në pyetje e Pacollit ka të bëjë me mosmarrëveshjet mes aksionerëve në konsorciumin që po zbaton projektin, si dhe me një procedim penal të regjistruar për veprën penale tё mashtrimit. Biznesmeni është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi zhvillimet kontraktuale dhe ligjore të çështjes.
Pacolli, një nga investitorët e hershëm që ka shfaqur interes për projekte infrastrukturore në Shqipëri, ka qenë i përfshirë në zhvillimin e projektit të aeroportit të Vlorës, një investim i konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në sektorin e transportit ajror.
Hetimet për këtë dosje nisën pas një kallëzimi të bërë nga njëra palë e përfshirë në projekt, që pretendon shkelje të marrëveshjeve dhe mashtrim në procedurat e ortakërisë. Sipas burimeve, një kallëzim i veçantë është bërë edhe nga familjarë të Pacollit ndaj disa personave të përfshirë në projekt, çka ka sjellë nevojën për sqarime shtesë në prokurori.
Gjatë qëndrimit disaorësh në Prokurorinë e Tiranës, Pacolli ka dhënë shpjegime mbi historikun e marrëdhënieve ndërmjet ortakëve dhe mënyrën e zbatimit të kontratave. Ende nuk dihet nëse prokuroria do të thërrasë persona të tjerë në vijim të hetimeve.
Projekti i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës është pjesë e planit kombëtar të infrastrukturës ajrore të Shqipërisë dhe pritet të ketë ndikim të rëndësishëm ekonomik në jug të vendit. Megjithatë, procedurat e zbatimit janë shoqëruar me vonesa dhe konflikte të brendshme mes ortakëve, të cilat kanë kaluar tashmë në duart e drejtësisë.
Pacolli, i njohur si një nga biznesmenët më të pasur të rajonit dhe me një histori të gjatë investimesh në Shqipëri, ka shprehur ndër vite mbështetjen për zhvillimin e projekteve të përbashkëta ekonomike mes Tiranës dhe Prishtinës.
Hetimet për dosjen e aeroportit të Vlorës pritet të vijojnë, ndërsa prokuroria ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi rezultatet e deritanishme.






