Talentet duket se trashëgohen në familjen e Luka Modrić. Ndërsa mesfushori legjendar vazhdon të shkëlqejë edhe në moshën 40-vjeçare, tashmë vëmendjen po e tërheq edhe vajza e tij, Ema.

13-vjeçarja është pjesë e akademisë së vajzave të AC Milan dhe sapo ka fituar trofeun e parë me ekipin U13 të “kuqezinjve”.
Ema Modric ishte pjesë e skuadrës që triumfoi në turneun Garino Cup, ku Milani arriti të mposhtë rivalë të fortë si Juventus dhe Inter Milan, duke u shpallur kampion.
E reja kroate ka dhënë kontributin e saj në këtë sukses, duke treguar se hapat e parë në futboll i ka të sigurt dhe premtues.
Ndërkohë, babai i saj nuk mungoi në këtë moment të rëndësishëm, edhe pse në distancë. Modric ndoqi finalen përmes një lidhjeje FaceTime nga Napoli, duke parë me krenari arritjen e vajzës së tij.
Një histori që sapo ka nisur, por që duket se premton shumë – sepse në familjen Modric, futbolli është më shumë se një pasion.


(Burimi: Tribuna.com)






