Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku për afera korruptive që lidhen me ndërtimin e tunelit të Llogorasë dhe Aeroportit të Vlorës. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se “aktakuza ndaj Ballukut është në fakt aktakuzë ndaj vetë Edi Ramës”.
Berisha pretendoi se Rama ka përdorur paratë e qytetarëve shqiptarë për të favorizuar kompani turke, duke i bërë “dhuratë” presidentit turk Erdogan, në këmbim të apartamenteve të ndërtuara në Laç pas tërmetit të vitit 2019.
“Rama ka bërë 50 milionë euro kurban për Erdoganin, me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Këto nuk ishin detyrim, por një aferë korruptive e mirëfilltë,” – deklaroi Berisha.
Ai tha se dokumentet e publikuara tregojnë se tenderi i tunelit të Llogarasë ishte “i paracaktuar”, pasi leja e zhvillimit ishte firmosur para se të shpallej fituesi. Berisha shtoi se “leja e ndërtimit është firmosur në maj të vitit 2025, shumë kohë pas nisjes së punimeve, çka dëshmon se projekti është zhvilluar pa leje ndërtimi”.
Duke folur për Aeroportin e Vlorës, Berisha akuzoi Ramën për një kontratë “në dëm të taksapaguesve shqiptarë”, ku sipas tij, “kompania koncesionare do të paguhet 140 milionë euro nga buxheti i shtetit në 10 vitet e para”.
“Ky është një krim ekonomik më i rëndë se ai i tunelit të Llogorasë,” – u shpreh Berisha, duke shtuar se e gjithë afera “është vepër e Ramës dhe njerëzve të tij të afërt”.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë ndaj, siç tha ai, “korrupsionit masiv dhe shpërdorimit të parave publike nga qeveria”.






