Në një deklaratë të Reuters “Bordi i Paqes” i Donald Trump ka siguruar vetëm një pjesë shumë të vogël të 17 miliardë dollarëve të premtuar për rindërtimin e Gazës së shkatërruar. Kjo shumë e vogël nuk e ndihmon presidentin amerikan të implementojë planin e tij për të ardhmen e enklavës së shkatërruar palestineze.
Dhjetë ditë para se sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit ta zhytnin rajonin arabik në luftë, Trump organizoi një konferencë në Uashington ku shtetet arabe të Gjirit premtuan miliarda për qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës.
Plani i Trump parashikonte rindërtimin në shkallë të gjerë të enklavës bregdetare pas çarmatimit të grupit militant palestinez Hamas.
Premtimet për financim do paguanin fillimisht Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) përbërë nga një grup teknokratësh palestinezë të mbështetur nga SHBA-të që do synonin të merrnin kontrollin e Gazës nga duart e Hamasit.
Por a ka para për këtë plan?
Nga burimet afër bordit, konfirmohet se nga dhjetë vendet që premtuan fonde, vetëm tre prej tyre, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku dhe vetë SHBA – kanë kontribuar me fonde. Vendet e tjera të Bordit, mes të cilave edhe Shqipëria e vogël, jo.
Financimi deri në disa ditë para luftës me Iranin kishte arritur një shifër nën 1 miliard dollarë, por lufta me Iranin “ndaloi gjithçka”, duke përkeqësuar rrugën e vështirë të financimit.
Aktualisht nuk ka para që NCAG të funksionojë dhe Hamasi t’ia dorëzojë qeverisjen këtij komiteti.
Konfirmohet nga burime diplomatike se, 14 anëtarët e komitetit NCAG janë mbyllur dhe presin në një hotel në Kajro nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve amerikanë dhe egjiptianë.
Rehabilitimi i Gazës, ku katër të pestat e ndërtesave në të gjithë enklavën u shkatërruan pas dy vjet bombardimesh izraelite, është përllogaritur të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë.
Plani për të ardhmen e Gazës është një nismë ambicioze e Trump, i cili nëpërmjet tij është përpjekur ta projektojë veten si paqebërësin e botës. Ky mision i Trump filloi me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë por u prish me sulmin ndaj Iranit.
Por edhe Gaza është në një situatë të paqartë, megjithëse Bordi i Paqes kërkon të futet në funksionim aty.
Hamasi është akoma në pushtet në një rrip të ngushtë bregdetar të Gazës dhe i armatosur. Bordi i Trump po negocion me fraksione të tjera palestineze për çarmatimin e Hamasit.
Nga ana tjetër Izraeli i qëndron vendimit se Hamasi duhet të dorëzojë armët para se të tërhiqet nga Gaza.
Bisedimet për çarmatim dhe tërheqje nga Gaza mbetën të bllokuara dhe ekziston frika se Izraeli po kërkon një justifikim për të rinisur një ofensivë në shkallë të plotë në Gaza, nëse Hamasi nuk i dorëzon armët. Kjo do ishte katastrofë për Gazën dhe dështim për Bordin e Paqes dhe vetë kreun e tij, Donald Trump.
Rreziku i rifillimit të luftës në Gaza na kujton nisjen e saj me sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit ku u vranë 1 200 njerëz, dhe qindra u morën peng, ndërsa më pas, fushatën dyvjeçare të Izraelit që vrau më shumë se 72 000 palestinezë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme shkatërrimi në gjithë enklavën që vuan pasojat edhe sot.






