Një raport i ri ndërkombëtar paralajmëron për një kthesë të rrezikshme globale: shtetet me armë bërthamore po rrisin prodhimin dhe vendosjen e tyre, duke sinjalizuar fundin e epokës së çarmatimit.
Sipas studimit të publikuar nga Federation of American Scientists dhe Norwegian People’s Aid, pothuajse të gjitha fuqitë bërthamore – Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Pakistani, India, Izraeli dhe Koreja e Veriut – kanë nisur të zgjerojnë arsenalin ose kanë plane për ta bërë këtë.
Eksperti Hans Kristensen paralajmëron se “epoka e reduktimit të armëve bërthamore ka përfunduar”, duke e cilësuar situatën si një ndryshim të madh global.
Raporti vlerëson se rreth 9,745 koka bërthamore janë aktualisht gati për përdorim – një rritje krahasuar me vitin e kaluar. Në total, fuqitë bërthamore zotërojnë rreth 12,187 armë të tilla, një shifër më e ulët se kulmi i Luftёs sё Ftohtë, por me një trend të ri shqetësues: më shumë armë janë në gatishmëri aktive.
Rreth 40% e këtyre armëve janë të vendosura në raketa balistike, nëndetëse apo baza ajrore – duke rritur ndjeshëm rrezikun për përshkallëzim të shpejtë, gabime njerëzore apo përdorim aksidental.
Ekspertët theksojnë se kjo rritje vjen në një moment tensionesh të larta globale, me konflikte në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, ku përfshihen drejtpërdrejt ose indirekt shtete me armë bërthamore.
Një tjetër zhvillim shqetësues është dobësimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kontrollin e armëve.
Edhe pse 99 vende i janë bashkuar Traktatit pёr Ndalimin e Armёve Bёrthamore, asnjë nga fuqitë bërthamore nuk është pjesë e tij. Përkundrazi, ato po investojnë miliarda për modernizimin dhe zgjerimin e arsenalit bёrthamor.
Ekspertët paralajmërojnë se bota po hyn në një fazë të re – jo thjesht një garë armësh, por një kthim pas në përpjekjet për të kufizuar rrezikun bërthamor.
Në këtë realitet të ri, retorika dhe demonstrimet e forcës bërthamore po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke e bërë botën, sipas raportit, “më të rrezikshme për të gjithë”.
(Burimi: Euronews)






