Gruaja e Presidentit francez, Emmanuel Macron, akuzohet nga një grup feminist se ka përdorur shprehje seksiste kundër femrave.
Videoja që ka shkaktuar debat u filmua të dielën mbrëma, prapa skenës në teatrin e famshëm Folies Bergère në Paris, gjatë një bisede mes Brigitte Macron dhe aktorit Ary Abittan – komedian që vite më parë u akuzua për përdhunim, por çështja u pushua në vitin 2023 për mungesë provash.
Një natë më parë, aktivistet feministe kishin ndërprerë shfaqjen e Abittan-it, duke mbajtur maska me fytyrën e tij dhe fjalën “përdhunues”, si protestë ndaj asaj që ato e quajnë “kulturë të pandëshkueshmërisë” për dhunën seksuale në Francë.
Në videon e publikuar nga media franceze, Brigitte Macron dëgjohet duke pyetur aktorin si ndihej pas protestës së natës së kaluar. Kur ai i përgjigjet se ishte pak i trembur, ajo – me shaka – thotë: “Po ka ndonjë k•rvë budallaqe, do ta heqim qafe.”
Fjala e përdorur nga zonja Macron është konsideruar gjerësisht seksiste dhe fyese, gjë që ka nxitur reagime të menjëhershme.
Aktivistet feministë: “Ndihemi të ofenduara”
Grupi “Nous Toutes”, që organizoi protestën, e ka kthyer fyerjen në një hashtag viral – #sallesconnes – si formë ironie dhe solidarizimi. Madje aktorja Judith Godrèche, që është kthyer në simbol të lëvizjes kundër abuzimeve në industrinë franceze të filmit, postoi në Instagram: “Edhe ne paskemi qenë ‘budallaqe’. Shumë mirë, e pranojmë.”
Njëra prej aktivisteve që mori pjesë në protestë tha për median se grupi “u shokua dhe u skandalizua” nga gjuha e përdorur nga zonja Macron, duke e cilësuar atë si “një tjetër fyerje ndaj viktimave të dhunës seksuale”.
Ekipi i Brigitte Macron ka reaguar duke thënë se komentet e saj ishin “kritikë ndaj metodave radikale të protestës” dhe jo ndaj vetë grave.
Reagime të përziera në skenën politike
Opozita e majtë kërkoi që zonja Macron të kërkojë falje, ndërsa ish-presidenti François Hollande kritikoi “vulgaritetin” e gjuhës së saj. Por politikanë të krahut të djathtë e mbrojtën atë, duke thënë se videoja ishte regjistruar në një moment privat dhe se “të gjithë thonë gjëra në prapaskenë që s’do donin të përfundonin në publik”.
Debati rrotullohet rreth pyetjes së njëjtë: a ka të drejtë zonja Macron t’i quajë “metoda të papranueshme” protestat feministe, apo fjalët e saj shkelin një vijë të kuqe në një vend ku tema e dhunës seksuale ende shkakton tronditje të mëdha?
Ndërsa politika grindet, Abittan përgatitet të rikthehet në skenë – dhe aktivistet paralajmërojnë se protesta e tyre nuk ka mbaruar.
(Burimi: Aljazeera)






