Brooklyn Peltz Beckham ka thyer heshtjen dhe ka bërë publike për herë të parë përplasjen e thellë me familjen e tij. 26-vjeçari, djali i David dhe Victoria Beckham, deklaroi hapur se nuk dëshiron të pajtohet me prindërit e tij, duke i akuzuar ata për manipulim, kontroll dhe përpjekje për të shkatërruar martesën e tij me Nicola Peltz Beckham.
Në një deklaratë të gjatë të publikuar në Instagram, Brooklyn tha se kishte heshtur për vite me radhë për të mbajtur çështjet familjare private, por se prindërit e tij dhe ekipi i tyre kishin vazhduar të ushqenin shtypin me narrativa të rreme. “Nuk dua të pajtohem me familjen time. Nuk jam më nën kontroll. Për herë të parë në jetën time po mbroj veten,” shkroi ai.
Ai akuzoi prindërit se gjatë gjithë jetës së tij kanë kontrolluar mënyrën si familja paraqitej në publik, përmes postimeve të kuruara në rrjete sociale, eventeve familjare të inskenuara dhe marrëdhënieve joautentike. Sipas tij, kohët e fundit ka parë deri ku mund të shkojnë për të përhapur gënjeshtra në media, edhe në kurriz të njerëzve të pafajshëm, vetëm për të ruajtur “fasadën”.
Brooklyn u martua me Nicola Peltz, vajza e biznesmenit miliarder amerikan Nelson Peltz, në vitin 2022. Por ai pretendon se tensionet me familjen nisën para dasmës. Sipas tij, prindërit janë përpjekur vazhdimisht t’i prishin marrëdhënien. Ai tha se nëna e tij anuloi në moment të fundit qepjen e fustanit të nusërisë së Nicolës, duke e detyruar atë të gjente urgjentisht një fustan tjetër. Ai po ashtu pretendoi se para dasmës iu bë presion që të hiqte dorë nga të drejtat e emrit të tij, një marrëveshje që do të kishte ndikim mbi të, gruan e tij dhe fëmijët e ardhshëm. Kur ai refuzoi të nënshkruante, tha se mënyra si u trajtua nga familja ndryshoi përgjithmonë.
Ai kujtoi edhe episodin e planifikimit të dasmës, ku nëna e tij e quajti “të keq” pse ai dhe Nicola vendosën të përfshinin dadot e tyre në tryezën kryesore, pasi ato nuk kishin bashkëshortë. Sipas Brooklyn, edhe pas kësaj, prindërit kishin tavolinat e tyre pranë çiftit.
Deklarata e tij vijoi me akuza se pas momentit që filloi të mbronte veten, ka përjetuar sulme të vazhdueshme nga prindërit, si privatisht ashtu edhe publikisht, të cilat, sipas tij, janë përcjellë me porosi në media. Ai pretendoi gjithashtu se edhe vëllezërit e tij u përdorën për ta sulmuar në rrjetet sociale, përpara se ta bllokonin.
Një nga episodet më të rënda që përshkroi ishte gjatë dasmës, ku ai pretendon se nëna e tij “ia rrëmbeu” vallëzimin e parë me Nicolën dhe kërceu mbi të në mënyrë të papërshtatshme para të ftuarve. “Nuk jam ndier kurrë më i pakëndshëm apo i poshtëruar në jetën time,” shkroi ai.
Ai shtoi se gruaja e tij është trajtuar me mungesё respekti nga familja e tij dhe nuk është ftuar as në festën e 50-vjetorit të babait të tij. Sipas Brooklyn, në familjen e tij prioritet ka qenë gjithmonë imazhi publik. “Marka Beckham vjen e para. Dashuria familjare matet nga sa poston në rrjete sociale dhe sa shpejt lë gjithçka për një foto familjare, edhe kur kjo bie ndesh me jetën tonë profesionale,” deklaroi ai.
Ai hodhi poshtë narrativën se Nicola e kontrollon atë. “E kundërta është e vërtetë. Për pjesën më të madhe të jetës sime kam qenë i kontrolluar nga prindërit e mi,” shkroi ai. Brooklyn tregoi se është rritur me ankth të madh dhe se vetëm pasi u largua nga familja e tij ka gjetur paqe. “Për herë të parë në jetën time, ankthi është zhdukur. Zgjohem çdo mëngjes mirënjohës për jetën që kam zgjedhur.”
Ai përfundoi duke thënë se ai dhe Nicola nuk duan një jetë të diktuar nga imazhi, shtypi apo manipulimi. “Gjithçka që duam është paqe, privatësi dhe lumturi për ne dhe familjen tonë të ardhshme.”
Brooklyn Beckham është marrë më herët me fotografi dhe gatim. Ai ka botuar librin fotografik “What I See” në vitin 2017 dhe ka lançuar markën e salcës pikante Cloud23 në vitin 2024, ndërsa vazhdon të publikojë video gatimi në rrjetet sociale.
Një dramë familjare që për dekada ishte e fshehur pas imazhit perfekt Beckham, tani është bërë publike – dhe Brooklyn ka bërë të qartë se nuk ka më rrugë kthimi.
(Burimi: The Guardian)






