Bulmeti me përmbajtje të lartë yndyre mund të lidhet me një rrezik pak më të ulët për zhvillimin e demencës, sugjeron një studim i ri i kryer në Suedi. Por ekspertët e ushqyerjes dhe shëndetit të trurit theksojnë se këto gjetje nuk janë të mjaftueshme për të rekomanduar konsum më të lartë të bulmetit me yndyrë të plotë.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Neurology, ka ndjekur pothuajse 28 mijë persona në Malmö të Suedisë për një periudhë deri në 25 vjet. Sipas rezultateve, personat që konsumonin rreth 50 gramë djathë me yndyrë të lartë në ditë kishin një rrezik 13% më të ulët për demencë krahasuar me ata që konsumonin sasi shumë më të vogla. Një efekt i ngjashëm u vu re edhe për konsumuesit e kremit tё djathit me yndyrë të lartë.
Megjithatë, studiues dhe ekspertë të pavarur theksojnë se ky është një studim vëzhgues, që nuk provon shkakësi. “Rezultati për djathin është në kufijtë e rëndësisë statistikore dhe studiuesit kanë analizuar shumë ushqime njëkohësisht, ndaj ka gjasa që gjetja të jetë rastësore,” tha Dr. Walter Willett, profesor i epidemiologjisë dhe ushqyerjes në Harvard T.H. Chan School of Public Health.
Një tjetër kufizim i rëndësishëm i studimit është fakti se zakonet ushqimore u matën vetëm në fillim të viteve ’90, pa u ndjekur rregullisht për shumicën e pjesëmarrësve gjatë dekadave pasuese. Kur autorët analizuan një nëngrup të pjesëmarrësve pas pesë vitesh, lidhja mes djathit dhe rrezikut më të ulët për demencë humbi rëndësinë statistikore, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e përfundimeve.
Ekspertët shtojnë se përfitimi i vërejtur nuk do të thotë se djathi me yndyrë të lartë është vetë mbrojtës për trurin. Sipas tyre, efekti pozitiv u pa kryesisht kur djathi zëvendësonte ushqime me cilësi ushqyese më të ulët, si mishi i kuq i përpunuar. Me fjalë të tjera, ai mund të jetë “më pak i dëmshëm”, por jo domosdoshmërisht “mbrojtës”.
Studimi nuk gjeti asnjë përfitim për trurin nga gjalpi, qumështi, produktet e fermentuara si kosi apo kefiri, apo nga bulmeti me yndyrë të ulët. Përkundrazi, personat që konsumonin më shumë produkte tё kёsaj natyre, kishin shpesh më shumë probleme shëndetësore në fillim të studimit, çka sugjeron se zgjedhja e tyre ushqimore mund të ketë qenë një përpjekje për të menaxhuar sëmundje ekzistuese.
Një tjetër faktor që kufizon zbatueshmërinë e rezultateve në vende të tjera është ndryshimi në mënyrën e prodhimit të bulmetit. Në Suedi, lopët ushqehen më shpesh me bar, gjë që rrit përmbajtjen e acideve yndyrore omega-3, të cilat konsiderohen të dobishme për trurin. Kjo nuk është gjithmonë rasti në SHBA apo vende të tjera të industrializuara.
Vetë autorët e studimit pranojnë se gjetjet duhen konfirmuar në popullata të tjera, përpara se të nxirren përfundime të forta. Deri atëherë, mesazhi i ekspertëve mbetet i qartë: një dietë e balancuar, e pasur me ushqime bimore, yndyrna të shëndetshme dhe njё stil jetese aktiv, mbetet strategjia më e sigurt për shëndetin e trurit, ndërsa bulmeti me yndyrë të lartë duhet konsumuar me masë.
(Burimi: CNN)






