Celine Dion ka konfirmuar rikthimin e saj në skenë, pas një periudhe të gjatë larg publikut për shkak të një çrregullimi të rrallë neurologjik që e kishte detyruar të ndalonte performancat.
Këngëtarja njoftoi se do të mbajë 10 koncerte në Paris gjatë muajve shtator dhe tetor, duke e bërë këtë rikthim një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj. Lajmi u bë publik përmes një videoje në rrjetet sociale, në 58 vjetorin e saj tё lindjes, ku ajo u shfaq e buzëqeshur dhe plot energji.
“Këtë vit do të marr dhuratën më të bukur të jetës sime”, u shpreh ajo, duke shtuar se ndihet mirë, e fortë dhe e emocionuar, edhe pse pranoi se ka ende pak nervozizëm për rikthimin në skenë.
Prej javësh, në Paris kishin nisur të qarkullonin spekulime për rikthimin e saj, pasi në qytet u shfaqën postera me tituj të këngëve të saj më të njohura. Mediat raportuan se koncertet pritet të mbahen në një nga sallat më të mëdha të kryeqytetit francez.
Ky rikthim vjen pas një periudhe të vështirë për artisten, e cila në vitin 2022 zbuloi se ishte diagnostikuar me një sindromë të rrallë neurologjike që prek sistemin nervor dhe shkakton spazma të forta, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në aftësinë e saj për të kënduar.
Për shkak të kësaj gjendjeje, ajo u detyrua të anulonte turneun “Courage World Tour”, ndërsa në atë kohë u përfol se mund të mos rikthehej më në skenë. Megjithatë, Dion nuk hoqi dorë dhe dokumentoi përpjekjet e saj për rikuperim në dokumentarin “I Am: Celine Dion”, ku shfaqej duke luftuar për të rifituar zërin, pavarësisht dhimbjeve.
Në një moment prekës të dokumentarit, ajo shprehej: “Më mungojnë njerëzit”, duke iu referuar publikut të saj.
Dalja e fundit e madhe e Dion në skenë ishte në hapjen e Lojërave Olimpike Verore 2024 në Paris, ku interpretoi këngën ikonike “L’Hymne à l’amour” të Édith Piaf, duke emocionuar publikun në mbarë botën.
Përtej sfidave shëndetësore, Dion ka qëndruar aktive edhe në rrjetet sociale, duke u afruar më shumë me fansat dhe duke treguar një anë më spontane të saj, përfshirë edhe hyrjen në platformën TikTok.
Rikthimi i saj në skenë shënon jo vetëm një fitore personale, por edhe një moment shumë të pritur për fansat që e kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe.
(Burimi: CNN)






