Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lideri i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliscos, u varros të hënën në periferi të Guadalajaras, në shtetin meksikan Jalisco, mes një pranie të fortë ushtarake dhe nën masa të shtuara sigurie.
Varrimi u krye në një varrezë në Zapopan, ndërsa arkivoli i tij ishte i artë dhe i rrethuar nga kurora të mëdha me lule. Dhjetëra persona shoqëruan kortezhin mortor, shumë prej tyre me çadra të zeza, edhe pse dita ishte me diell. Një bandë muzikore interpretoi muzikë tradicionale meksikane gjatë ceremonisë.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk pranoi të konfirmonte zyrtarisht vendndodhjen e varrimit për “arsye sigurie”. Që prej së dielës, forcat e sigurisë kishin shtuar praninë rreth një shtëpie funerale në Guadalajara, ku mbërritën kurora të shumta pa emër. Disa prej tyre mbanin imazhin e një gjeli – simbol që lidhej me Oseguera Cervantes, i cili njihej edhe si “Zoti i Gjelave”.

“El Mencho” u vra pak më shumë se një javë më parë gjatë një operacioni të ushtrisë meksikane për ta arrestuar. Sipas certifikatës së vdekjes, ai humbi jetën nga plagë të shumta me armë zjarri. Ministri i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, kishte deklaruar se gjatë një shkëmbimi zjarri me ushtarët pranë një banese në Tapalpa, Jalisco, Oseguera dhe dy truprojat e tij u plagosën rëndë dhe vdiqën gjatë transportit drejt spitalit.
Certifikata specifikon se ai kishte marrë plagë në kraharor, bark dhe këmbë. Trupi u dërgua fillimisht në Mexico City për autopsi dhe më pas iu dorëzua familjes të shtunën.
Vrasja e tij shkaktoi një valë dhune në rreth 20 shtete të Meksikës. Mbi 70 persona humbën jetën në përplasjet që pasuan operacionin ushtarak. Autoritetet kanë deklaruar se operacionet kundër drejtuesve të tjerë të lartë të kartelit vijojnë.
Në Meksikë, varrimet e bosëve të drogës shpesh shoqërohen me një atmosferë misteri, që mbështetësit e tyre e shfrytëzojnë për të forcuar mitin rreth figurës së tyre. Vetëm pak orë pas vdekjes së “El Mencho”, nisën të qarkullonin balada të reja, të njohura si “narcocorridos”, që rrëfenin historinë e fundit të tij.
Në qytete si Culiacán, në shtetin fqinj Sinaloa, varret luksoze me mauzeola për ish-bosë të kartelit janë bërë simbol i një kulture ku pasuria dhe pushteti i krimit të organizuar shfaqen edhe pas vdekjes. Mes tyre përmenden figura si Ignacio Coronel apo Arturo Beltrán Leyva.
Historia e karteleve meksikane njeh edhe raste të pazakonta: si ai i Nazario Morenos, për të cilin autoritetet njoftuan vdekjen në vitin 2010, për ta konfirmuar përfundimisht vetëm në 2014; apo Heriberto Lazcanos, trupi i të cilit u vodh nga një morg në vitin 2012. Ndërsa Amado Carrillo Fuentes, i njohur si “Zoti i Qiellit”, humbi jetën gjatë një operacioni të dështuar estetik.
Me varrimin e “El Mencho”-s, mbyllet një kapitull i një prej figurave më të fuqishme dhe më të kërkuara të krimit të organizuar në Meksikë, por pasojat e rrëzimit të tij vijojnë të trondisin vendin.
(Burimi: CNN)





