Influencuesja italiane Chiara Ferragni u lirua nga akuzat për mashtrim në një nga skandalet më të bujshme mediatike të viteve të fundit në Itali, duke deklaruar pas vendimit të gjykatës në Milano se “makthi më në fund ka marrë fund”. Pas dy vitesh nën hetim dhe nën presion publik të madh, ylli i rrjeteve sociale rifiton lirinë ligjore, edhe pse plagët në imazhin e saj publik mbeten të dukshme.
Gjykata shqyrtoi akuzat që lidhen me dy fushata bamirësie të promovuara nga Ferragni, njëra për shitjen e pёr Krishtlindje tё ёmbёlsirёs “pandoro” dhe tjetra për vezët e Pashkëve, ku konsumatorët u nxitën të besonin se një pjesë e parave do të shkonte për kauza humanitare. Hetimet zbuluan se donacionet ishin fikse dhe shumë më të ulëta nga sa ishte perceptuar nga publiku, duke shkaktuar reagim të fortë dhe ndërhyrje të autoritetit italian të konkurrencës, qё e gjobiti Ferragnin me një milion euro dhe kompaninë prodhuese me qindra mijëra euro të tjera.
Ferragni i mohoi që në fillim akuzat për mashtrim, duke këmbëngulur se kishte vepruar në mirëbesim dhe se nuk kishte synuar të mashtronte ndjekësit e saj. Gjykata përfundimisht vendosi se nuk kishte prova për përgjegjësi penale, duke e liruar nga akuzat që mund ta kishin çuar në burg. “Kam besuar gjithmonë te drejtësia dhe sot ajo u vu në vend”, tha ajo, ndërsa pranë gjykatës pritej nga dhjetëra gazetarë.
Skandali megjithatë tronditi perandorinë e saj të ndërtuar ndër vite. Para kësaj krize, Ferragni ishte një nga influencueset më të fuqishme në botë, me një pasuri të vlerësuar rreth 40 milionë euro dhe kontrata të mëdha me marka globale. Pas shpërthimit të çështjes, ajo humbi qindra mijëra ndjekës dhe disa bashkëpunime prestigjioze, duke shënuar rënien më të madhe të karrierës së saj publike.
Rasti hapi edhe një debat më të gjerë në Itali për mënyrën si influencuesit përdorin imazhin e tyre për të promovuar produkte me pretendime bamirësie. Qeveria reagoi duke vendosur rregulla të reja transparence dhe duke detyruar influencuesit me audiencë të madhe të regjistrohen pranë autoriteteve rregullatore, në një përpjekje për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.
Për Chiara Ferragnin, vendimi i gjykatës mbyll një kapitull të dhimbshëm, por rikthimi i plotë i besimit publik mbetet sfida e saj më e madhe.
(Burimi: The Guardian)






