Me çmimin Nobel për Paqen që pritet të shpallet më 10 tetor, një emër po qëndron në qendër të spekulimeve: Presidenti amerikan Donald Trump. Me marrëveshjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, Trump pretendon se ka ndihmuar në ndërmjetësimin e mbylljes së konfliktit — duke shtuar se tashmë ka kontribuar në ndërprerjen e tetë luftrave të ndryshëm me plane paqësore.
Trump ka deklaruar publikisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se “të gjithë thonë që duhet të fitoj Nobelin për Paqe”, duke pretenduar se gjatë mandatit të tij ka mbyllur luftime si midis Serbisë dhe Kosovës, në Afrikë mes Kongos dhe Ruandës, apo konflikte si Egjipt- Etiopi dhe Indi- Pakistan. Disa prej këtyre pretendimeve janë kundërshtuar fort nga ekspertë, që thonë se disa prej marrëveshjeve nuk ishin në kuadёr tё njё lufte aktive apo tё tjera qё nuk rezultuan në njё paqe tё qёndrueshme.
Në rastin e konfliktit aktual Izrael-Hamas, Trump ka luajtur rolin e ndërmjetësit – pra, një rol që mund të jetë vlerësuar nga Komiteti Nobel si një përpjekje për paqe. Por skeptikët thonë se fushata diplomatike e Trump është e mbushur me interesa dhe shpesh ka reflektuar përkrahje ndaj akteve të dhunës në skenat ndërkombëtare.
Nina Graeger, drejtoreshë e Peace Research Institute Oslo, i tha Al Jazeera se është herët për të vendosur nëse Trump e meriton çmimin: “Ndërsa përpjekjet e tij për armëpushim janë pozitive, nuk është ende e qartë nëse do të rezultojnë në paqe të qëndrueshme.”
Trump dhe mbështetësit e tij argumentojnë se ai po rikthen disi rolin global të Amerikës si ndërmjetësues i konflikteve dhe se një Nobel për Paqen do ishte një njohje për përpjekjet që ai pretendohet të jetë duke bërë. Por me konfliktet aktive në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe akuzat për shkelje të të drejtave civile në SHBA, Komiteti Nobel do të ketë një vendim të vështirë për të bërë — ndërmjet figurave që bëjnë premtime për paqe dhe atyre që historia i konsideron për veprime të qëndrueshme.
Në fund të ditës, çmimi nuk u takon atyre që flasin për paqen, por atyre që, në vepra, sjellin ndryshime që zgjasin më shumë se ceremonitë. Dhe për Trump, pikëpyetja është nëse përpjekjet e tij diplomatike do të shihen si hapa historikë apo si manovra elektorale.






