Çokollata e zezë mund të fshehë një aleat të papritur kundër plakjes, por jo ashtu siç mendohet zakonisht. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Aging dhe të kryer nga studiues të King’s College London, një përbërës i çokollatës së zezë i quajtur teobrominë lidhet me ngadalësimin e plakjes biologjike.
Studiuesit theksojnë se nuk bëhet fjalë për një thirrje për të konsumuar më shumë çokollatë, pasi ajo përmban edhe sheqerna dhe yndyrna. Vlera e studimit qëndron në faktin se hap një dritare të re mbi mënyrën se si përbërës të zakonshëm ushqimorë mund të ndikojnë në proceset biologjike të trupit.
Hulumtimi u krye në dy grupe evropianësh, me mbi 1,600 pjesëmarrës. Duke krahasuar nivelet e teobrominës në gjak me treguesit biologjikë të moshës, shkencëtarët zbuluan se personat me nivele më të larta të kësaj substance kishin një moshë biologjike më të ulët sesa mosha e tyre kronologjike. Me fjalë të thjeshta, trupi i tyre dukej biologjikisht “më i ri” se vitet që kishin jetuar.
Autorja kryesore e studimit, Jordana Bell, profesoreshë e epigjenomikës në King’s College London, shpjegon se studimi identifikon “një lidhje mes një përbërësi kyç të çokollatës së zezë dhe aftësisë për të qëndruar biologjikisht më i ri”. Ajo thekson se ky zbulim nuk nënkupton se konsumimi i çokollatës së zezë është një zgjidhje magjike, por se mund të ndihmojë shkencën të kuptojë më mirë ndikimin e ushqimeve të përditshme në shëndetin afatgjatë.
Për të vlerësuar moshën biologjike, studiuesit analizuan ndryshime kimike në ADN dhe gjatësinë e telomereve, struktura mbrojtëse në skajet e kromozomeve që shkurtohen me kalimin e kohës dhe konsiderohen një tregues i plakjes qelizore. Rezultatet treguan një lidhje të qartë mes teobrominës dhe një procesi më të ngadalshëm plakjeje.
Teobromina është e njohur prej kohësh si substancë toksike për qentë dhe më herët është lidhur me një rrezik më të ulët për sëmundjet e zemrës te njerëzit. Vetëm së fundmi, sipas studiuesve, po del në pah edhe roli i saj i mundshëm në ngadalësimin e plakjes.
Gjenetisti Ramy Saad, gjithashtu nga King’s College London, e cilëson këtë si një zbulim premtues, duke theksuar se kërkime të mëtejshme mund të çojnë në njohuri të reja dhe të rëndësishme mbi procesin e plakjes dhe mënyrat për ta kuptuar e menaxhuar atë më mirë.
Studimi përforcon idenë se ushqimi nuk është vetëm burim energjie, por edhe një faktor i rëndësishëm biologjik, që mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si trupi ynë plaket me kalimin e viteve.
(Burimi: TGCOM)






