Projekti ambicioz franko-gjerman për ndërtimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë duket se po lëkundet seriozisht. I nisur në vitin 2017 nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe ish-kancelarja Angela Merkel si një shtyllë e re e mbrojtjes evropiane, programi tani konsiderohet nga shumë burime si “në prag të kolapsit”.
Sipas raportimeve të Politico, pakënaqësia po rritet ndjeshëm në Berlin, ndërsa Parisi po këmbëngul për ta shpëtuar projektin me çdo kusht. Në të kundërt, sindikatat dhe shoqatat industriale gjermane po i bëjnë presion kancelarit Friedrich Merz që të tërhiqet dhe të nisë një program tërësisht kombëtar për një avion luftarak “Made in Germany”.
“FCAS është i vdekur, por askush nuk dëshiron ta thotë këtë hapur”, u shpreh një deputet francez i përfshirë në politikat e mbrojtjes. Një zyrtar tjetër pranë Macron pranoi se ka më shumë gjasa që programi të ndërpritet sesa të ringjallet.
Dështimi i mundshëm i Sistemit të Ajrit të Luftimit të Ardhshëm (FCAS) – qё më vonë iu bashkua edhe Spanja – do të përbënte një goditje të rëndë politike për presidentin francez dhe për idenë e autonomisë strategjike të Evropës në fushën e mbrojtjes.
Programi ishte konceptuar për të zëvendësuar avionët Rafale të Francës dhe Eurofighterët që përdoren nga Gjermania dhe Spanja, duke përfshirë jo vetëm një avion të ri, por edhe dronë të avancuar dhe një rrjet të integruar luftarak. Megjithatë, projekti është bllokuar prej kohësh nga mosmarrëveshjet midis prodhuesit francez Dassault Aviation dhe gjigantit Airbus, që përfaqëson interesat gjermane dhe spanjolle.
Macron paralajmëroi që në nëntor se Parisi dhe Berlini kishin një “detyrim për të arritur rezultate”, duke e quajtur projektin një “provë besueshmërie” për kontinentin. Por vetëm një muaj më pas, kancelari gjerman pranoi se përpjekjet për ta zhbllokuar kishin dështuar.
Tensionet u thelluan edhe më tej kur sindikata më e madhe gjermane, IG Metall, hyri hapur në debat. Zëvendëspresidenti i saj, Jürgen Kerner, dhe presidentja e Shoqatës së Industrisë Hapësinore Gjermane, Marie-Christine von Hahn, akuzuan Dassault se po kërkon “kontroll absolut”, duke shkelur parimin e partneritetit të barabartë. Ata i kërkuan qeverisë gjermane të zhvillojë një avion të vetin.
Kjo klimë mosbesimi mund ta shtyjë Berlinin të kërkojë partnerë të rinj. Vëmendja tashmë po zhvendoset drejt Programit Global të Ajrit Luftarak (GCAP), i udhëhequr nga Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia, i cili synon të prodhojë një sistem ajror të gjeneratës së ardhshme deri në vitin 2035. Projekti ka tërhequr edhe interesin e Arabisë Saudite.
Analistët vërejnë se afrimi industrial mes Gjermanisë dhe Italisë, i konfirmuar nga marrëveshjet e nënshkruara në samitin e fundit ndërqeveritar mes Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz, mund ta shtyjë Berlinin drejt këtij kampi të ri.
Nëse FCAS dështon, pasoja nuk do të jetë vetëm industriale. Një prishje e këtij bashkëpunimi do të vinte në pikëpyetje aftësinë e Evropës për të ndërtuar projekte të përbashkëta strategjike në një kohë kur konkurrenca globale në fushën ushtarake po intensifikohet. Për shumë ekspertë, kjo nuk është thjesht një krizë teknologjike – por një test për unitetin dhe ambiciet gjeopolitike të kontinentit.
(Burimi: ANSA)






