Një histori e errët ka tronditur opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar, pas zbulimit të një rasti të tmerrshёm dhune në familje, ku një grua e re humbi jetën nga bashkëshorti i saj — një njeri për të cilin kishte pasur paralajmërime të vazhdueshme lidhur me sjellje të rënda dhe të dhunshme ndaj kafshëve dhe ndaj vetë saj.
Holly Bramley, vetëm 26 vjeçe, u vra nga bashkëshorti i saj Nicholas Metson rreth 18 muaj pas martesës. Para se ngjarja tragjike të ndodhte, familja e Holly-t kishte ngritur disa herë shqetësime për sjelljen kontrolluese, abuzive dhe të rrezikshme të Metson, i cili e kishte izoluar të renë nga miqtë dhe të afërmit menjëherë pas lidhjes së tyre.
Sipas nënës së viktimës, Annette, shenjat paralajmëruese kishin nisur shumë më herët. Holly kishte raportuar raste dhune, përfshirë edhe vrasjen e përsëritur të kafshëve shtëpiake, çka shpesh lidhet me rrezikshmëri të lartë për përshkallëzim të dhunës edhe ndaj njerëzve. Ajo madje ishte drejtuar disa herë në polici, por partneri i kishte ushtruar presion psikologjik që ta tërhiqte kallëzimin.
Mё parё, Nicholas kishte mbytur në kuzhinë 3 kotele, ndёrsa një nga hamsterët e Holly-t e kishte futur në një blender ushqimi.
Në një rast tjetёr, ajo ishte paraqitur pёr denoncim në stacionin e policisë me lepujt e saj me vete, pasi ai kishte vrarё një hamster tjetër duke e futur në mikrovalë.
Në vitin 2023, Holly humbi jetën në apartamentin ku jetonte me Metson. Pas krimit, ai tentoi të mashtronte autoritetet duke i ҫuar drejt një versioni të sajuar të ngjarjes. Megjithatë, policia zbuloi mospërputhje të rënda nё versionin e tij, dhe pas kërkimeve, pjesë të trupit të Holly-t u gjetën në një lumë pranë qytetit Lincoln. Metson u arrestua, pranoi autorësinë dhe u dënua me 19 vite burg. Një i njohur i tij u dënua gjithashtu për ndihmë në fshehjen e krimit.
Përfundimisht, hetimet treguan se Metson e kishte goditur Holly-n, 26 vjeç, katër herë në apartamentin e tyre. Pastaj e kishte copёtuar trupin e saj në mënyrë të tmerrshme në 224 pjesë, duke ruajtur disa prej pjesёve në qilarin e kuzhinës për një javë.
Trupi i saj i copёtuar u gjet në qese pazari që lundronin në lumin Witham, pranë Lincoln, nga një qytetar qё ishte tmerruar nga pamja.
Metson nuk dha kurrë një arsye pse e kishte vrarë gruan e tij.
Nuk është hera e parë që ekspertët paralajmërojnë lidhjen e drejtpërdrejtë mes abuzimit ndaj kafshëve dhe rrezikut të lartë për dhunë ndaj njerëzve. Organizata si RSPCA dhe grupet që punojnë me viktimat e dhunës në familje thonë se shumë gra raportojnë se partnerët e tyre dëmtojnë kafshët për t’i frikësuar dhe kontrolluar.
Nëna e Holly-t, Annette, e shtyrë nga dhimbja ka nisur një fushatë për miratimin e një ligji të ri — “Holly’s Law” — i cili do të krijonte një regjistër kombëtar të personave të dënuar për mizori ndaj kafshëve, me qëllim që raste si ky të identifikohen më herët dhe viktimat potenciale të mbrohen. Peticioni i saj ka mbledhur mbi 50,000 firma dhe po fiton mbështetje të gjerë.
Ajo shprehet se familja e kishte paralajmëruar vajzën të largohej nga ky raport dhe kishte frikë të vazhdueshme për sigurinë e saj, por manipulimi, izolimi dhe presioni psikologjik e kishin mbajtur Holly-n nën kontrollin e bashkëshortit.
Policia e Lincolnshire i ka shprehur mirënjohje nënës së saj për përpjekjen e jashtëzakonshme për të ndihmuar të tjerët, duke e cilësuar “një zë të fuqishëm dhe frymëzues në luftën kundër dhunës në familje”.
(Burimi: The Sun, BBC, Metro UK, Daily Mail)






