Britania e Madhe po i bashkohet vendeve të tjera evropiane në ndjekjen e një qasjeje më të ashpër ndaj azilit, duke marrë si model Danimarkën, e cila vitet e fundit është bërë shembull për shtrëngimin e rregullave të emigracionit. Ndryshe nga vendet ku këto politika janë udhëhequr nga e djathta, në Danimarkë ishte qeveria socialdemokrate që ndërtoi një qasje më kufizuese – ҫka u pa si një strategji për të ruajtur mbështetjen publike dhe stabilitetin social.
Ish-kryeministri danez Lars Løkke Rasmussen, sot ministër i jashtëm, thekson se një politikë efektive e emigracionit duhet të ruajë ekuilibrin ndërmjet kufizimit të flukseve të mëdha të refugjatëve dhe pranimit të të huajve që vendi ka nevojë. “Nuk është bardh e zi,” tha ai, duke u shprehur kundёr qasjeve ekstreme.
Politika të forta, rezultate të dukshme dhe kosto sociale
Pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, Danimarka miratoi rregulla më të rrepta: proces më të gjatë për qëndrim të përhershëm, kushte të vështira strehimi për aplikantët për azil dhe masa simbolike si konfiskimi i pasurive personale të emigrantëve për të mbuluar kostot e kujdesit social. Qeveria argumenton se kjo qasje i lejon vendit të integrojë më mirë ata që pranon dhe të ruajë modelin social me taksa të larta dhe shërbime publike.
Numri i kërkesave për azil ka rënë ndjeshëm: nga 21 mijë në vitin 2015, në rreth 2 mijë vitin e kaluar – një nga nivelet më të ulëta në BE.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë për pasoja afatgjata shoqërore. Aktivistë dhe ekspertë të migracionit thonë se politikat e tilla krijojnë një atmosferë pasigurie dhe bëjnë që edhe migrantët e integruar të ndihen të padëshiruar.
Sfidat politike
Edhe pse politika e ashpër e emigracionit fillimisht i ndihmoi Socialdemokratët të ruanin pushtetin përballë rritjes së partive të ekstremit të djathtë, zgjedhjet e fundit lokale dhanë një paralajmërim: partia e kryeministres Mette Frederiksen humbi kontrollin e Kopenhagës pas më shumë se një shekulli. Një pjesë e votuesve argumentuan se retorika e qeverisë ndaj të huajve u është dukur përçarëse dhe e nxitur nga frika.
Një realitet njerëzor pas politikës
Në qendrën për kthim Avnstrup, ku qëndrojnë aplikantë të refuzuar apo në pritje të vendimit për azil, shumë prej tyre jetojnë prej vitesh në pasiguri, pa të drejtë pune dhe me kufizime të rrepta lëvizjeje. Për shumë syresh kthimi në vendlindje nuk është opsion – qoftë për arsye politike, qoftë nga frika për sigurinë e familjes.
Pavarësisht kushteve të vështira, disa refugjatë e kuptojnë logjikën e politikave, duke argumentuar se ato shmangin abuzimin dhe ruajnë stabilitetin shoqëror.
Ndërsa qeveria e Keir Starmer në Britani përgatitet të zbatojë modele të ngjashme, Danimarka shërben si paralajmërim se suksesi politik dhe social i politikave të emigracionit varet nga balanca tepёr delikate mes kontrollit dhe humanizmit, mes nevojave ekonomike dhe respektit për të drejtat njerëzore.
Ndaj dhe sot, Danimarka mbetet shembull se si politikat e forta të emigracionit mund të sjellin rezultate të shpejta, por gjithashtu rrezikojnë të dëmtojnë kohezionin shoqëror — një paralajmërim për vendet që synojnë të ndjekin këtë model.
(Burimi: The New York Times)






