Vajza e Bruce Willis, Rumer Willis, ka ndarë me fansat një përditësim emocional mbi gjendjen e aktorit, i cili po përballet me një formë të avancuar të demencës frontotemporale (FTD), të shoqëruar me afazi primare progresive (PPA). Në një postim në Instagram, 37-vjeçarja iu përgjigj pyetjes së përsëritur shpesh nga ndjekësit: “Si është babai yt?”, duke pranuar se përgjigjja është gjithnjë e vështirë.
“E vërteta është se kushdo që jeton me FTD po përballet me një situatë shumë të vështirë,” shkroi ajo, duke shtuar se Bruce, 70 vjeç, “po ia del aq mirë sa mundet dikush që përjeton demencë frontotemporale”. Sipas saj, mënyra se si gjendja interpretohet “varet nga parametrat me të cilët secili e sheh realitetin”.
Megjithë sfidat, Rumer tha se është thellësisht mirënjohëse që ende mund të jetë pranë tij: “Jam kaq e lumtur që mund ta përqafoj, edhe nëse ai më njeh apo jo. Unë e di që ai e njeh dashurinë, dhe unë e ndiej atë në kthim.” Ajo është falënderuese gjithashtu që vajza e saj 2-vjeçare, Louetta, ka mundësinë të vizitojë gjyshin e saj.
Në mars 2022, familja njoftoi publikisht se Bruce Willis po tërhiqej nga aktrimi për shkak të afazisë. Ndërsa gjendja e tij u përkeqësua, gruaja e tij, Emma Heming Willis, bëri të ditur verën e kaluar se kishte marrë vendimin e vështirë për ta zhvendosur në një shtёpi tё veҫantё ku ka kujdes tё specializuar, mbështetje të vazhdueshme dhe një ambient të qetë. Duke iu përgjigjur kritikëve, Heming tha se askush që nuk ka kaluar një situatë të tillë nuk duhet të gjykojë: “Nuk kanë të drejtë fjale – e as vote.”
Emma, 47 vjeçe, ka theksuar se kjo zgjidhje ka qenë e dobishme për të gjithë familjen, duke u lejuar vajzave të tyre, Mabel 13 vjeç dhe Evelyn 11 vjeç, të jetojnë fëmijërinë e tyre pa ngarkesë të rëndë emocionale. Ajo siguroi se shtëpitë e ndara nuk nënkuptojnë jetë të ndara, pasi ajo dhe vajzat kalojnë shpesh ditë të tëra pranë aktorit, duke mbajtur rroba, lodra dhe materiale arti në shtëpinë e tij.
Bruce Willis ka tre vajza të rritura – Rumer, Scout (34) dhe Tallulah (31) – me ish-bashkëshorten e tij Demi Moore, 63 vjeç, e cila vazhdon të jetë pjesë e pandarë e familjes së zgjeruar.
(Burimi: Page Six)






