Seanca dëgjimore në Senatin amerikan për Prokuroren e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, është shndërruar në një tjetër arenë përplasjesh të ashpra mes dy kampeve politike në Washington. Demokratët e akuzuan Bondin se ka politizuar Departamentin e Drejtësisë, ndërsa republikanët u rreshtuan në mbrojtje të saj, duke e vlerësuar për përpjekjet për ta rikthyer fokusin e institucionit te “lufta ndaj krimit të vërtetë”.
Në dëshminë e saj para Komisionit të Drejtësisë të Senatit, Bondi mbrojti me forcë veprimet e saj si kryeprokurore, duke theksuar se synimi kryesor i drejtimit të saj është “shkatërrimi i përdorimit politik të drejtësisë” dhe forcimi i zbatimit të ligjit në terren. Ajo përmendi rritjen e operacioneve federale në qytete si Washington D.C. dhe Memphis, duke argumentuar se Departamenti i Drejtësisë po e përqendron punën tek krimet që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Në fokus të pyetjeve të demokratëve ishte çështja e ndjekjes penale të ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili akuzohet për pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme para Kongresit. Bondi refuzoi të tregonte nëse vendimi për hetimin kishte qenë i pavarur apo i ndikuar nga Shtëpia e Bardhë, duke e cilësuar këtë “çështje të brendshme administrative”.
Ajo mbrojti edhe vendimin për dislokimin e Gardës Kombëtare në qytete të mëdha, si Çikago dhe Portland, duke akuzuar autoritetet lokale se nuk kishin bërë mjaftueshëm për të garantuar sigurinë publike. Sipas saj, “mungesa e bashkëpunimit mes niveleve të qeverisjes po e bën më të vështirë zbatimin e ligjit në qytetet amerikane”.
Një tjetër temë që ndezi debatet ishte vendimi për të mos publikuar dokumentet e çështjes Jeffrey Epstein, për të cilin Bondi nuk dha shpjegime të plota, duke iu kundërpërgjigjur akuzave me akuza të reja ndaj disa senatorëve demokratë për lidhje të dyshimta me individë të përfshirë në skandalin Epstein.
Për demokratët, dëshmia e Bondit është provë e qartë se Departamenti i Drejtësisë po përdoret si armë politike, ndërsa për republikanët ajo tregon vendosmëri për të “pastruar sistemin nga ndikimet e majta”. Senatori Dick Durbin, përfaqësues i demokratëve, tha se drejtimi aktual i departamentit “ka dëmtuar reputacionin historik të institucioneve ligjzbatuese amerikane” dhe se “rindërtimi i besimit do të kërkojë vite”.
Tensionet janë shtuar edhe më tej nga largimet masive të prokurorëve tё karrierёs, veçanërisht atyre që kishin hetuar ish-presidentin Donald Trump ose ngjarjet e 6 janarit 2021. Një letër e nënshkruar nga afro 300 ish-zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, e publikuar pak orë para seancës, akuzon administratën aktuale se “po shkatërron traditën e pavarësisë së drejtësisë” dhe i bën thirrje Kongresit për veprim institucional.
Dëgjimi i djeshëm tregoi edhe një herë se ndasitë mes demokratëve dhe republikanëve nuk kufizohen më në politikat publike, por përfshijnë edhe vetë konceptin se si duhet të funksionojë drejtësia në Amerikë. Për një palë, Pam Bondi është simbol i riorganizimit dhe rishtrirjes së rendit ligjor; për tjetrën, ajo përfaqëson politizimin më të thellë që Departamenti i Drejtësisë ka njohur në dekada.
(Burimi: AFP, Reuters, Al Jazeera)






