Kur David Bowie vdiq më 10 janar 2016, bota u ndal. Mediat mbuluan çdo detaj, fansat u mblodhën në sheshe, këngët e tij u rikthyen në klasifikime, dhe dukej sikur muzika e Bowie-t do të ishte e pranishme përgjithmonë. Për disa javë, “Starman” dhe “Space Oddity” u rikthyen në listat britanike të hiteve. Por më pas, si shumë yje të mëdhenj pas vdekjes, prania e tij në hapësirën publike filloi të zbehej.
Dhjetë vjet më vonë, pyetja që shtrohet është e pazakontë për një ikonë të këtij niveli: a rrezikon trashëgimia muzikore e David Bowie-t të humbasë kontaktin me brezat e rinj?
Një nga matësit modernë të ndikimit kulturor është suksesi pas vdekjes. Revista Forbes publikon çdo vit listën e artistëve që gjenerojnë më shumë të ardhura pas largimit nga jeta. Bowie u pёrfshi nё renditje në vitet 2016 dhe 2017, falë interesit të madh pas vdekjes së tij. Por më pas u zhduk nga lista – për t’u rikthyer vetëm në vitin 2022, jo për shkak të rritjes së dëgjimeve, por sepse pasuria e tij shiti të drejtat e botimit muzikor për rreth 250 milionë dollarë.
Ndryshe nga Prince, Michael Jackson, Elvis Presley apo Bob Marley, Bowie nuk është bërë një “brand” i përhershëm financiar pas vdekjes. Dhe tani që të drejtat e botimit janë shitur, gjasat për rikthim në listat e Forbes janë të pakta.
Edhe në epokën e streaming, shifrat janë befasuese. Në Spotify, Bowie ka rreth 22 milionë dëgjues mujorë — më pak se Bob Marley, Whitney Houston, Elvis Presley apo John Lennon. Vetëm një këngë e tij ka kaluar 1 miliard dëgjime: “Under Pressure”, dhe edhe kjo pjesërisht falë famës së Queen. Për një artist që dikur përcaktonte drejtimin e pop-kulturës, këto janë shifra modeste.
Arsyeja? Sipas analistëve të industrisë muzikore, menaxhimi i trashëgimisë së Bowie-t është fokusuar më shumë tek fansat ekzistues, sesa tek krijimi i një audience të re. Familja e tij ka publikuar shumë box-sete luksoze dhe albume arkivore me çmime të larta — produkte që u drejtohen koleksionistëve dhe fansave të vjetër, por që janë jashtë interesit dhe buxhetit të adoleshentëve që zbulojnë muzikën përmes TikTok-ut dhe Spotify-t.
Ndërkohë, ka pasur shumë pak përpjekje për të krijuar “porta hyrëse” të reja për brezin e ri: pak albume përmbledhëse, pak promovim digjital agresiv dhe mungesë e projekteve filmike apo seriale që ta rikthejnë Bowie-n në kulturën pop moderne — ashtu siç kanë bërë Elvis, Queen apo Beatles.
Ironikisht, Bowie ishte artisti i së ardhmes. Ai ndryshonte identitete, tinguj dhe stile para se bota të ishte gati për to. Por sot, e ardhmja e trashëgimisë së tij duket më pak inovative sesa vetë Bowie do ta kishte imagjinuar.
Ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së muzikës moderne. Por në epokën e algoritmeve, streaming-ut dhe vëmendjes së shkurtër digjitale, edhe legjendat kanë nevojë për strategji për të mbijetuar.
Dhjetë vjet pas largimit të tij, David Bowie nuk është harruar. Por mbetet ende sfidё qё brezat e rinj tё vazhdojnё ta zbulojnë muzikën e tij dhe ta mbajnë gjallë trashëgiminë e një legjende.
(Burimi: The Guardian)






