Ditën e dielë, Hezbollahu konfirmon vdekjen e “komandantit të madh” Haytham Ali Tabatabai dhe thotë se sulmet izraelite “hapin derën për përshkallëzim të sulmeve”.
Hezbollahu konfirmoi vrasjen e komandantit Tabatabai prej një sulmi ajror izraelit, kryer në kryeqytetin e Libanit.
Bashkë me Tabatabai-n, shefin e shtabit të krahut të armatosur të Hezbollah-ut, u vranë të paktën pesë persona të tjerë që shoqëronin atë, nga sulmi ajror i kryer ndaj një blloku apartamentesh në fortesën e Hezbollahut, Dahiyeh, në jug të Bejrutit.
Ministria e Shëndetit Publik e Libanit tha se sulmi izraelit plagosi gjithsej 28 persona.
Në një deklaratë të Hezbollahut, grupi militar tha se “komandanti i madh” Tabatabai u vra në “një sulm të pabesë izraelit në zonën Haret Hreik në periferitë jugore të Bejrutit”, pa specifikuar pozicionin e tij hierarkik brenda grupit.
Tabatabai është komandanti më i lartë i Hezbollahut që është vrarë nga Izraeli që prej fillimit të armëpushimit të vendosur në nëntor 2024 mes Izraelit dhe krahut të armatosur në Liban, Hezbollahut.
Ushtria izraelite pranoi se e “eliminoi” Tabatabai-n nëpërmjet një sulmi ajror. Mediat izraelite thanë se kjo ishte përpjekja e tretë e ushtrisë izraelite për ta vrarë Tabatabai-n që nga lufta e vitit të kaluar.
Një zyrtar i lartë i Hezbollahut, Mahmoud Qmati, deklaroi se sulmi i Izraelit kaloi një “vijë të kuqe” dhe se udhëheqja e Hezbollahut po shqyrton kundërpërgjigjen. Ai tha se “sulmi në periferitë jugore sot hap derën për një përshkallëzim të sulmeve në të gjithë Libanin”.






