Ka një ditë në javё kur aplikacionet e njohjeve “ndizen” më shumë se zakonisht. Statistikat tregojnë se pikërisht tё dielave njerëzit kanë më shumë gjasa të gjejnë një partner. Sipas të dhënave, përputhjet rriten ndjeshëm dhe mijëra biseda nisin çdo minutë.
Por bashkë me shpresën vjen edhe ankthi: çfarë të shkruash, si të dukesh, si të mos dështosh që në fillim?
Ekspertja e marrëdhënieve Rebecca Dakin thotë se njohjet online në vitin 2026 janë bërë të lodhshme për shumë njerëz. Shumë janë të djegur emocionalisht, të pasigurt dhe të tensionuar për të lënë përshtypje të mirë. Pikërisht për këtë arsye, shpesh nuk janë vetvetja – dhe më pas pyesin pse nuk krijohet asnjë lidhje e qëndrueshme.
Sipas saj, gabimi më i madh nis që te mënyra se si njerëzit paraqiten. Foto me peshq, makina apo gota alkooli krijojnë përshtypje të gabuara dhe nuk tregojnë aspak se kush je realisht. Po ashtu, përdorimi i shprehjeve me nënkuptime seksuale apo pyetjeve si “pse je ende vetëm” i tremb shumë njerëz që kërkojnë diçka serioze.
Një tjetër gabim i shpeshtë është zbukurimi i së vërtetës. Gënjeshtrat për moshën, gjatësinë apo pamjen duken të vogla, por zbulohen menjëherë në takimin e parë. Dhe kur besimi thyhet, rrallë ka një shans të dytë.
Ekspertja këshillon që njerëzit të mos gjykojnë menjëherë nga një foto apo një profil i dobët. Shumë persona nuk dinë të shprehen mirë online, por mund të jenë njerëz të vlefshëm në jetën reale. Një shans i dytë shpesh fsheh një surprizë të bukur.
Çelësi, sipas saj, është thjeshtësia dhe sinqeriteti. Fotot duhet të jenë të reja, pa filtra dhe sa më natyrale. Përshkrimi nuk duhet të jetë i thatë, por të tregojë pak nga jeta e përditshme: çfarë të pëlqen të bësh, ku ndihesh mirë, çfarë do të ndaje me dikë tjetër.
Një tjetër këshillë e vlefshme është të kërkosh mendimin e një miku apo mikeje që të njeh mirë. Ata shpesh shohin gjëra që vetë nuk i vëmë re dhe mund të ndihmojnë të shmangёsh gabime që largojnë njerëzit.
Humori mbetet një armë e fortë, për sa kohë është i natyrshëm. Nuk ka nevojë të bësh shaka për t’i pëlqyer të gjithëve – mjafton të jesh vetvetja. Personi i duhur do ta kuptojë.
Edhe bisedat duhet të jenë të thjeshta. Një përshëndetje, përmendja e diçkaje konkrete nga profili i tjetrit dhe pak respekt mjaftojnë për të hapur një derë. Nuk ka nevojë për mesazhe të gjata apo premtime të mëdha.
Në fund, ekspertja thekson se dashuria online nuk kërkon perfeksion, por autenticitet. Ata që fitojnë nuk janë më të bukurit apo më interesantët, por ata që guxojnë të jenë të vërtetë.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga THE SUN)






