Tirana do të zgjohet nesër në atmosferën festive të Ditës së Verës, por bashkë me festimet do të ketë edhe kufizime të rëndësishme në qarkullimin e automjeteve. Bashkia e Tiranës ka njoftuar se për shkak të aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen në qytet, trafiku do të devijohet në disa nga akset kryesore për rreth dy ditë.
Sipas planit të organizuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kufizimet e para të qarkullimit do tё nisin që sot, ndërsa do të zgjasin deri në orët e para të 15 marsit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve dhe sigurinë e qytetarëve.
Aktivitetet festive të organizuara nga Bashkia e Tiranës do të zhvillohen gjatë gjithë ditës së 14 marsit, duke nisur që në orët e para të mëngjesit dhe duke vazhduar deri vonë pas mesnate, me koncerte, aktivitete për fëmijë dhe evente në disa pika të kryeqytetit.
Për këtë arsye, në disa segmente kryesore të qytetit qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar.
Nga 13 marsi në orën 22:00 deri më 14 mars në orën 18:00, do të bllokohen segmentet e mëposhtme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”: nga Ministria e Brendshme deri në fillim të ish “Hotel Dajti”, nga ura pranë ish “Hotel Dajti” deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te kryqëzimi me rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe nga ky segment deri në hyrje të sheshit “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, nga 13 marsi në orën 12:00 deri më 15 mars në orën 02:00, do të kufizohet qarkullimi edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te kryqëzimi me rrugën “Brigada VIII”, si dhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri te kryqëzimi me rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Autoritetet kanë përcaktuar edhe rrugët alternative ku do të devijohet trafiku gjatë kësaj periudhe. Automjetet, përfshirë edhe mjetet e emergjencës dhe Policisë së Shtetit, do të qarkullojnë kryesisht në rrugët “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, “Myslym Shyri” dhe “Abdi Toptani”, si dhe në bulevardet “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”.
Ndryshime do të ketë edhe në itinerarin e disa linjave të transportit urban. Linja nr. 13 “Tirana e Re” dhe Linja nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” do të devijojnë lëvizjen përmes sheshit “Wilson” dhe bulevardit “Zogu I”.
Qytetarëve do t`u duhet tё planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre gjatë këtyre ditëve dhe të përdorin, kur është e mundur, transportin publik ose rrugët alternative.






