Pas një historie dashurie që nisi para syve të gjithë shqiptarëve, duket se rrugët e Neda dhe Ogren Ballukut janë ndarë përfundimisht. Ish-banorja e Big Brother Albania 4, që dikur fitoi zemrat e publikut me sinqeritetin dhe pasionin për fjalën e bukur, këtë herë zgjodhi të flasë për fundin e martesës së saj në “Goca & Gra”.
Këto janë fjalët që Neda Balluku tha, në emisionin “Goca & Gra” të Top Channel, e ftuar mbrëmjen e djeshme:
“E vërteta është që nuk është hera e parë që jemi/jam në këtë situatë. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe 5 vite më parë, në 2020-tёn. Atëherë ia kemi dalë ta kapërcejmë. Dëshirë shumë e madhe për të mbajtur me thonj familjen e bashkuar, por… si çdo nënë, siç do grua shqiptare – nëse do kisha 100 jetë dhe nëse do ktheja kokën prapa, sigurisht do bëja të njëjtën gjë, sepse nga ai pajtim erdhi në jetë goca ime e vogël… Megjithatë, prej shumë vitesh tashmë marrëdhënia nuk është më e shëndetshme. Prej disa kohësh jetojmë të ndarë. Do të doja që këtë situatë ta menaxhoja me shumë privatësi sepse prioriteti im më i madh tashmë janë fëmijët e mi.”
Neda dhe Ogren Balluku u njohën në vitin 2010, brenda formatit televiziv Big Brother Albania 4, ku të dy morën pjesë si banorë.
Neda, vajza e re që vinte nga Kavaja, u dallua menjëherë në atë edicion për mënyrën se si fliste, mendonte dhe shprehej. Arma e vetme që kishte, siç do ta përshkruanin shumë shikues asokohe, ishin librat që kishte lexuar, ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj. Ajo pёrdori pasionin për letërsinë pёr tё dalё në pah mbi mënyrën poetike me të cilën komunikonte.
Ogreni, nga ana tjetër, vёllai i vogёl i Belinda dhe Pamela Ballukut, ishte djali që vinte nga një familje e pasur dhe me emër, por që gjithsesi në shtëpinë më të vëzhguar të Shqipërisë shfaqi thjeshtësi, ndershmëri dhe një qetësi që e bëri të pëlqyeshëm për publikun. Pikërisht aty, mes bisedash, leximesh dhe emocioneve të sinqerta, nisi lidhja e tyre.
Çifti e vazhdoi marrëdhënien edhe jashtë ekranit dhe disa vite më pas, në 2015, e kurorëzoi me martesë, nga e cila lindёn dhe tre fёmijё.
Dy vitet e fundit, Neda ёshtё rishfaqur nё televizion si opinioniste në emisione showbiz-i, dhe jo pak herё ёshtё anatemuar pёr qёndrimet e saj paragjykuese ndaj normave tё sjelljes dhe moralit.
Ngjan si një hakmarrje e ftohtë që Neda Balluku i bën familjes së kunatës së saj, pikërisht në momentin më të ngarkuar ligjor që po kalon mbiemri “Balluku”.
“Gjyqtarja” e ndarjeve, e çifteve, e dashurisë në emisionet showbiz, duket se ka rënë kësaj here pré e realitetit të saj.






