Dorëheqja e Joe Kent nga drejtimi i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit në SHBA nuk është thjesht një largim nga detyra, por një zhvillim që zbulon tensione të thella brenda vetë administratës së Donald Trump dhe mënyrës se si po menaxhohet lufta me Iranin. Ndryshe nga një zyrtar i zakonshëm, Kent konsiderohej një nga njerëzit më besnikë të Trump në aparatin e sigurisë kombëtare, një figurë që kishte qëndruar në krah të tij në momentet më të vështira politike, nga humbja e zgjedhjeve të vitit 2020 deri te narrativat e debatueshme rreth 6 janarit.
Ajo që e bën këtë dorëheqje veçanërisht domethënëse është arsyeja: Kent refuzoi të mbështesë luftën me Iranin, duke deklaruar hapur se nuk ekzistonte asnjë kërcënim i menjëhershëm ndaj Shteteve të Bashkuara. Në një klimë politike ku zyrtarët e lartë rrallë sfidojnë publikisht vendimet e presidentit, kjo deklaratë përbën një çarje të fortë në narrativën zyrtare të administratës. Ai shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se vendimi për luftë ishte ndikuar nga presioni i jashtëm, veçanërisht nga Izraeli dhe lobet e tij në SHBA – një pretendim që prek një nga temat më të ndjeshme të politikës amerikane.
Profili i Kent e bën këtë përplasje edhe më të fortë. Një ish-anëtar i forcave speciale, me mbi dy dekada shërbim dhe misione të shumta në Irak, ai nuk është një figurë e jashtme apo kritik tradicional i politikës së sigurisë, por një njeri i brendshëm i sistemit. Pas largimit nga ushtria, ai u përfshi në strukturat e inteligjencës dhe më pas në politikë, duke u bërë pjesë e rrethit të ngushtë të Trump si këshilltar dhe zë publik i linjës “America First”, që kundërshton ndërhyrjet ushtarake jashtë vendit.
Në të njëjtën kohë, figura e tij ka qenë gjithmonë e mbushur me kontradikta. Kent ka pasur lidhje të dokumentuara me individë dhe grupe të së djathtës ekstreme në SHBA, përfshirë aktivistë me retorikë antisemitike dhe organizata nacionaliste, lidhje nga të cilat më vonë u përpoq të distancohej publikisht. Ai ka përhapur gjithashtu teori konspirative për zgjedhjet e vitit 2020 dhe për rolin e institucioneve federale në sulmin ndaj Kapitolit, duke u pozicionuar fort kundër establishmentit tradicional të sigurisë.
Dorëheqja e tij vjen në një moment kritik, kur administrata Trump po përpiqet të justifikojë përshkallëzimin e konfliktit me Iranin si një domosdoshmëri sigurie. Ndërkohë që drejtues të tjerë të lartë, si Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard, kanë mbështetur publikisht vendimin e presidentit duke theksuar ekzistencën e një kërcënimi të menjëhershëm, rasti Kent tregon se ky vlerësim nuk është unanim as brenda strukturave më të larta të sigurisë.
Me sa duket, rasti Kent ёshtё një sinjal i qartë se lufta me Iranin nuk po sfidohet vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda vetë sistemit që duhet ta mbështesë atë.






