Demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë publikuar 19 fotografi të reja nga pronat e financierit Jeffrey Epstein, të cilat përfshijnë objekte dhe imazhe që lidhen me disa figura të njohura politike, ekonomike dhe kulturore ndërkombëtare.
Mes materialeve të publikuara është edhe një foto e një tasi me prezervativë të personalizuar, të shitur për 4.50 dollarë secili, me karikaturën e Donald Trump dhe mbishkrimin “Jam MADHËSHTOR!”. Trump përbën fokusin kryesor të përzgjedhjes së re të fotove, ndërsa pamje të tjera përfshijnë ish-presidentin Bill Clinton, strategun Steve Bannon, manjatë si Bill Gates dhe Richard Branson, regjisorin Woody Allen, ish-rektorin e Harvardit Larry Summers dhe Princin Andrew.
Sipas Komitetit, fotot janë marrë nga ekzekutorët e pasurisë së Epstein dhe i përkasin pronave që ai zotëronte ose përdorte mes viteve 1990 dhe 2019. Nuk është e qartë se kur dhe nga kush janë realizuar pamjet. Asnjë prej fotografive të publikuara nuk tregon sjellje seksuale të paligjshme dhe personat e paraqitur nuk shfaqen me të mitur, megjithëse disa pamje përmbajnë aksesorë erotikë.
Përfaqësuesi demokrat Robert Garcia deklaroi se materiale të tjera, ende të papublikuara, janë “jashtëzakonisht shqetësuese”, ndërsa administrata Trump ka afat deri më 19 dhjetor për të bërë publike dosjet e plota të Epstein, sipas një ligji të miratuar në nëntor.
Nga ana tjetër, republikanët kanë kritikuar publikimin selektiv të fotove, duke pretenduar se nga rreth 95 mijë imazhe të dorëzuara, demokratët kanë zgjedhur vetëm një numër të kufizuar për të ndërtuar një narrativë politike.
Trump ka pranuar më herët se ka pasur kontakte shoqërore me Epstein, por ka deklaruar se e ka përjashtuar atë nga klubi i tij në Mar-a-Lago. Në disa email-e të zbuluara së fundmi, Epstein pretendonte se Trump kishte dijeni për vajzat dhe kishte kaluar kohë me Virginia Giuffre, një nga akuzueset kryesore, e cila ndërroi jetë në prill.


(Burimi: ANSA)






