Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë — aty ku filluan rrënjët e dashurisë së tij për tokën, njeriun dhe jetën. Gjashtëmbëdhjetë vitet e para i kaloi në fshat, mes arave dhe kafshëve që i flisnin me gjuhën e butë të natyrës. Katër vite më pas në Gjirokastër, si gjimnazist, dhe katër vite të tjera në Shën Petërburg, në qytetin e letërsisë ruse, ku do të formësohej shkrimtari që më pas do të bëhej një nga shtyllat e artit shqiptar.
Pak kush e di se dëshira e parë e Dritëroit nuk ishte të bëhej shkrimtar, por veteriner. “Më pëlqenin shumë kafshët,” – kujtonte ai. – “Kisha një sheleg manar që flinte me mua. Një natë kali ynë u shtri dhe m’u duk sikur qante. Vërtet qante, sepse po vdiste. Që nga ajo ditë doja të bëhesha veteriner.” Por fati kishte zgjedhur ndryshe. Ministri i Arsimit i asaj kohe, duke parë talentin e poetit të ri, vendosi: “Ky djalë nuk do të shkojë për veterinari. Do të studiojë për letërsi.” Dhe kështu nisi udhëtimi i gjatë i Dritëro Agollit në botën e fjalës.
“Im atë,” kujtonte poeti, “kishte prerë pjesën e gazetës ku ishte botuar poezia ime e parë dhe e mbante në kutinë e duhanit. Mburrej në fshat: ‘Ja, ky është poeti im.’” Një kujtim i thjeshtë, por plot ndjenjë — si vetë poezia e Dritëroit.
Në vitin 1958 botoi veprën e parë me poezi, “Në rrugë dolla”, që do të pasohej nga “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll, Devoll”, “Mesditë”, e shumë të tjera. Pas viteve ’90, ai do të rikthehej me përmbledhje si “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, e “Fletorkat e mesnatës”, ku gjuha e tij fitoi një thellësi të re, më njerëzore dhe më e ndjerë se kurrë.
Në kujtesën e lexuesve kanë mbetur poezi që dihen përmendësh:
“Kur të jesh mërzitur shumë”, “Kur një mëngjes”, “Ëndërr e prerë” — vargje që u bënë pjesë e shpirtit të kombit.
Agolli nuk shkroi vetëm poezi. Ai na dha romane që u bënë pasqyra të shoqërisë shqiptare, si “Komisari Memo”, që u ekranizua në filmin “I teti në bronz”, dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një kryevepër satire që goditi burokracinë e kohës dhe mbetet aktuale edhe sot.
Në jetën e tij, Dritëroi përballoi sfida, autokritika dhe tensione politike. Por gjithmonë mbeti njeriu i thjeshtë që fliste me urtësi dhe dashuri për njerëzit. Ai ishte deputet për tri dekada me radhë dhe për 19 vjet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë — një figurë që u qëndroi kohëve, pa e humbur kurrë dinjitetin dhe dashurinë për artin.
Në çdo faqe të krijimtarisë së tij ndihen shtyllat e shpirtit të Dritëroit: kulti i tokës dhe i bukës, i njeriut dhe natyrës, raporti i ndershëm dhe zhgënjimi për kohën, si dhe besimi në një të ardhme më të mirë.
Dritëro Agolli ishte dhe mbeti një njeri i tokës, i dashurisë, i fjalës së ndershme. Ai nuk e braktisi kurrë dorën me të cilën shkruante — asnjëherë nuk përdori makinë shkrimi apo kompjuter. Për të, letra dhe lapsi ishin si toka dhe plugu: mjeti më i sinqertë për të mbjellë frymë.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Agolli u nderua me shumë çmime dhe me titullin më të lartë, “Nderi i Kombit”. Veprat e tij janë përfshirë në antologji brenda dhe jashtë vendit, dhe vargjet e tij vazhdojnë të prekin zemrat e lexuesve, si një këngë që nuk shuhet kurrë.






