Një nga përballjet më të shumëpritura në historinë e artit marcial të përzier (MMA) do të zhvillohet më 15 nëntor 2025 në Madison Square Garden të Nju Jorkut, ku kampioni australian Jack Della Maddalena do të mbrojë titullin e peshave të mesme kundër rusit Islam Makhachev – ish-kampion i katërfishtë i peshave të lehta dhe një prej luftëtarëve më dominues të dekadës së fundit. Makhachev, pas triumfit të fundit në janar ndaj Renato Moicano-s, vendosi të ngjitej në një kategori më të rëndë, duke braktisur rripin e peshës së lehtë për të synuar një arritje historike: fitimin e një titulli të dytë në UFC.
Përballja pritet të nisë në orën 11:30 të mbrëmjes me orën lokale (04:30 GMT të dielën), me një kartë kryesore që përfshin pesë duele, ndërsa paraturneu fillon në orën 8:00 të mbrëmjes. Ky duel shihet si përplasja e dy stileve të kundërta: Della Maddalena, mjeshtër i jujitsu-t brazilian dhe i njohur për goditje të fuqishme e të sakta, kundër Makhachev-it, i cili njihet për bazën e tij të pathyeshme në mundje dhe kontrollin absolut në tokë, të mësuar nën drejtimin e legjendës Khabib Nurmagomedov.
Trajneri i australianit, Ben Vickers, është shprehur se kampioni i tij do të mbyllë gojët e skeptikëve që besojnë se Makhachev do ta dominojë me përvojën e tij në luftën trup më trup. Nga ana tjetër, rusi, që prej vitit 2015 nuk ka humbur asnjë ndeshje, theksoi se ndjehet më i fortë dhe më i lirshëm që kur ndryshoi kategori, pasi nuk i duhet të luftojë më me humbje peshe ekstreme. Ai është i bindur se mund ta përfundojë duelin me nënshtrim në tokë: “Mendoj se mund ta mbyll shpejt – me choke apo armbar. Ai është i mirë, por unë kam diçka më shumë.”
Della Maddalena, i pamposhtur në 18 duele radhazi, deklaroi se është gati ta surprizojë rivalin: “Ai mendon se do më rrëzojë e do më neutralizojë, por nuk është kaq e thjeshtë. Kam përgatitur teknika dhe mbrojtje që do ta befasojnë. Shumë pjesë e ndeshjes do zhvillohet në këmbë, dhe aty do e befasoj unë.” Ai theksoi se kalimi i Makhachev-it në peshën e mesme është vendim i mirë për rusin, por “në kohën e gabuar”.
Sipas kompanive ndërkombëtare të basteve, Makhachev hyn si favorit i qartë, me koeficient -275 në SHBA dhe 1.36 në tregjet evropiane, ndërsa Della Maddalena shihet si “underdog” me 3.25. Përveç duelit kryesor, eventi UFC 322 do të përfshijë edhe një tjetër sfidë madhore — kampionia Valentina Shevchenko do të mbrojë titullin e saj ndaj kinezes Zhang Weili, në një përballje që pritet të elektrizojë arenën.
Nëse Makhachev triumfon, ai mund të përballet më pas me Ilia Topuria-n, kampionin aktual të peshave të lehta, i cili ka shprehur dëshirën të ngjitet në peshën 77 kilogram për të luftuar me rusin në një super-ndeshje që UFC planifikon ta organizojë në qershor 2026 – një ngjarje që do të ishte më e madhe se dueli legjendar Nurmagomedov-McGregor i vitit 2018.
Me një rekord personal prej 27 fitoreve dhe vetëm një humbjeje, Islam Makhachev hyn në oktagon si simbol i disiplinës dhe dominimit absolut. Përballë tij, Jack Della Maddalena, 29 vjeç nga Australia, kërkon të ruajë kurorën e fituar në maj ndaj Belal Muhammad, duke provuar se është kampion i denjë i një kategorie ku çdo gabim mund të kushtojë gjithçka. UFC 322 pritet të jetë një spektakël sportiv i jashtëzakonshëm – një betejë ku përplasen forca, teknika dhe karakteri.
(Burimi: Al Jazeera)






