Për vite me radhë ai ishte fantazma më e pakapshme e Meksikës. I zhdukur në male, i rrethuar nga një ushtri truprojash dhe i kërkuar me një shpërblim prej 15 milionë dollarësh nga SHBA-të, Nemesio Oseguera Cervantes – i njohur si “El Mencho” – kishte ndërtuar mitin e njeriut që nuk gabon kurrë.
Por fundi i tij, sipas autoriteteve meksikane dhe raportimeve ndërkombëtare, nuk erdhi nga një tradhti e brendshme mes krerëve të kartelit, as nga një gabim strategjik ushtarak. Erdhi nga diçka shumë më njerëzore: një lidhje romantike.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës, hetimet për rrethin personal të “El Menchos” çuan në identifikimin e një partnereje të tij. Emri i saj nuk është bërë publik. Ajo nuk u paraqit si bashkëpunëtore e autoriteteve dhe nuk ka prova që të ketë “shitur” me vetëdije liderin e kartelit. Por lëvizjet e saj u ndoqën me kujdes.
Autoritetet zbuluan se një bashkëpunëtor i besuar i saj do ta shoqëronte drejt zonës malore të Tapalpa-s, në shtetin e Jaliscos – një vend që dyshohej si pikë takimi me Osegueran. Pikërisht kjo lëvizje u bë hallka që i lejoi ushtrisë të konfirmonte vendndodhjen e njeriut më të kërkuar të vendit.
Operacioni u planifikua më 21 shkurt dhe u vu në zbatim një ditë më pas. Kur forcat e sigurisë ndërhynë, “El Mencho” tentoi të arratisej në xhungël me njerëzit e tij. Ai u plagos rëndë gjatë përplasjes dhe ndërroi jetë rrugёs drejt Mexico City.
Në të njëjtin operacion u vranë edhe krahu i tij i djathtë, Hugo “El Tuli”, dhe dhjetëra anëtarë të armatosur të CJNG-së, ndërsa përplasjet morën edhe jetën e 25 anëtarëve të Gardës Kombëtare.
Por përtej operacionit ushtarak, opinioni publik është fokusuar te detaji që e bën këtë histori kaq të pazakontë: si mundi një marrëdhënie personale të bëhej pika e dobët e një prej bosëve më të fuqishëm të drogës në botë?
Për vite, “El Mencho” shmangu telefonat, lëvizte vazhdimisht dhe rrallë qëndronte gjatë në të njëjtin vend. Ai jetonte në hije. Por marrëdhëniet personale janë më të vështira për t’u zhdukur. Takimet kërkojnë një vend, një kohë, një ndërmjetës. Dhe aty ku ka lëvizje, ka gjurmë.
Mediat ndërkombëtare theksojnë se autoritetet nuk e kanë tёrhequr partneren e tij për bashkëpunim me drejtësinë. Deri tani, ajo mbetet një figurë misterioze, emri i së cilës nuk është zbuluar. Por roli i saj – qoftë edhe pa dashje – u kthye në elementin kyç që çau murin e fshehtësisë së liderit të CJNG-së.
Një njeri që mbijetoi për vite mes luftërave të përgjakshme të karteleve, që sfidoi shtetin dhe shmangu arrestimin ndërkombëtar, u zbulua jo nga një rival apo një agjent i infiltruar në kupolë – por nga një lidhje intime.
Ndërsa Meksika përballet tani me frikën e një lufte të re për pushtet brenda kartelit, historia e “El Menchos” po tregon edhe një herë se edhe figurat më të frikshme kanë dobësitë e tyre.
Dhe ndonjëherë, në botën e krimit, fundi nuk vjen nga plumbat – por nga zemra.







