Administrata e Donald Trump ka nisur largimin nga detyra të dhjetëra ambasadorëve dhe diplomatëve të karrierës që shërbenin jashtë Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një tjetër tronditje të thellë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe trupën diplomatike.
Sipas burimeve, të paktën njёzet diplomatë të lartë janë njoftuar se duhet të lënë postet e tyre muajin e ardhshëm. Ata ishin emëruar në misione diplomatike gjatë administratës Biden, por janë diplomatë karriere, me vite shërbimi në shërbimin e jashtëm amerikan nën presidentë të të dyja partive.
Megjithëse ambasadorët shërbejnë “sipas dёshirёs sё presidentit”, mandati i tyre zakonisht zgjat tre deri në katër vjet. Me ndryshimet e administratave, zakonisht largohen ambasadorët politikë, ndërsa diplomatët profesionistë qëndrojnë në detyrë derisa të konfirmohen pasardhësit e tyre nga Senati.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit e cilësoi rikthimin e ambasadorëve si “një proces standard në çdo administratë”, duke theksuar se ambasadori është përfaqësues personal i presidentit dhe se presidenti ka të drejtën të sigurohet që përfaqësuesit në vende të ndryshme të zbatojnë agjendën “America First”. Megjithatë, zyrtari nuk konfirmoi numrin e saktë të diplomatëve të prekur dhe as vendet ku ata shërbenin. Lajmi u raportua fillimisht nga Politico.
Ish-diplomatë e kanë cilësuar situatën si të paprecedentë. Eric Rubin, ish-president i American Foreign Service Association dhe diplomat karriere në pension, deklaroi se një veprim i tillë nuk ka ndodhur kurrë në 101 vitet e historisë së Shërbimit të Jashtëm Amerikan. Ai paralajmëroi se mbi gjysma e ambasadave amerikane mund të mbeten pa ambasadorë të konfirmuar, duke e quajtur këtë “një fyerje serioze për vendet partnere dhe një dhuratë të madhe për Kinën”.
Sipas Rubinit, shumica e diplomatëve të larguar do të detyrohen të dalin në pension, çka do të thotë se Departamenti i Shtetit do të humbasë një numër të madh profesionistësh me shumë përvojshë. “Kjo është e keqe për diplomacinë, për sigurinë kombëtare dhe për ndikimin amerikan në botë,” u shpreh ai.
AFSA bëri të ditur se ka marrë raportime të besueshme nga diplomatët në mbarë botën se disa ambasadorë karriere janë urdhëruar të lirojnë postet deri më 15 ose 16 janar, pa iu dhënë shpjegime për arsyet e këtij vendimi. Sipas sindikatës, një veprim i tillë dërgon një mesazh të rrezikshëm ndaj aleatëve dhe vetë shërbyesve publikë, duke vënë në dyshim vlerën e përvojës dhe besnikërisë ndaj Kushtetutës.
Edhe pse diplomatët nuk janë shkarkuar zyrtarisht, ata kanë një afat të kufizuar për të gjetur një detyrë të re, përndryshe do të duhet të dalin në pension, sipas rregullave të shërbimit të jashtëm. Burimet bëjnë të ditur se shumica e posteve të prekura ndodhen në Afrikë, por ka edhe misione në Evropë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Hemisferën Perëndimore.
Ky hap është pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të Departamentit të Shtetit nga administrata Trump, në përputhje me prioritetet “America First”. Që nga fillimi i vitit, më shumë se 1 300 punonjës në selinë e Departamentit të Shtetit në Uashington, përfshirë mbi 240 oficerë të shërbimit të jashtëm, kanë humbur vendet e punës.
Ndryshimet janë udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe synojnë, sipas administratës, reduktimin e emigracionit dhe përafrimin e diplomacisë amerikane me vizionin politik të qeverisë, me më pak theks te mbrojtja e të drejtave të njeriut në nivel global.
(Burimi: CNN)






