Një studim i ri në fushën e psikologjisë rrëzon bindjen e përhapur se të qarat të lehtësojnë gjithmonë emocionalisht. Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore Collabra: Psychology, efekti i të qarit varet drejtpërdrejt nga arsyeja që e shkakton atë.
Studiuesit, të udhëhequr nga profesori Stefan Stieger nga Universiteti Karl Landsteiner, analizuan sjelljen emocionale të 106 të rriturve për katër javë në jetën e tyre të përditshme. Ndryshe nga studimet tradicionale laboratorike, pjesëmarrësit regjistronin në kohë reale momentet kur qanin, duke përfshirë arsyen, intensitetin dhe gjendjen emocionale para dhe pas episodit.
Rezultatet treguan se të qarat nuk sjellin automatikisht lehtësim. Përkundrazi, në shumë raste, sidomos kur lidhen me probleme personale si vetmia apo ndjenja e mbingarkesës, ato shoqërohen me rënie të emocioneve pozitive dhe rritje të atyre negative, efekte që mund të zgjasin deri në një orë apo edhe më shumё gjatë ditës.
Ndryshe ndodh kur lotët shkaktohen nga filmat apo përmbajtje emocionale. Në këto raste, megjithëse fillimisht ka një ulje të humorit, me kalimin e kohës emocionet negative fillojnë të zbehen, duke krijuar një efekt qetësues. Po ashtu, lotët që lidhen me momente pozitive, si veprime të mira apo ndjenja mirënjohjeje, sjellin përmirësim të gjendjes emocionale pas pak minutash.
Studimi tregoi gjithashtu se të qarat janë një sjellje shumë e zakonshme: rreth 87% e pjesëmarrësve qanë të paktën një herë gjatë periudhës së studimit. Gratë rezultuan të qanin më shpesh, më gjatë dhe me më shumë intensitet se burrat, ndërsa arsyet ndryshonin – gratë më shpesh për çështje personale, burrat për ndjenja pafuqie apo ndikime nga media.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes, pasi bazohen në vetë-raportim dhe nuk mund të përcaktojnë me siguri nëse ndryshimet emocionale vijnë nga vetë akti i të qarit apo nga ngjarja që e shkaktoi atë.
Gjithsesi, studiuesit theksojnё se të qarat nuk janë një “kurë universale” për gjendjen emocionale. Ato mund të ndihmojnë në disa raste, por në të tjera mund të përforcojnë ndjenjat negative – gjithçka varet nga arsyeja pse rrjedhin lotët.
(Burimi: PsyPost)






