Një nga rastet më të vjetra të personave të zhdukur në SHBA ka marrë një kthesë të papritur: Christina Marie Plante, e cila u zhduk në moshën 13-vjeçare, është gjetur gjallë pas më shumë se tre dekadash.
Vajza ishte parë për herë të fundit më 15 maj 1994, kur u largua nga shtëpia e saj në Star Valley, Arizona, për të shkuar drejt stallës ku mbante kalin. Që nga ai moment, ajo “u zhduk pa lënë gjurmë”.
Zhdukja u klasifikua si rast me rrethana të dyshimta dhe të rrezikshme, duke nxitur një operacion të gjerë kërkimi me përfshirjen e policisë, vullnetarëve dhe autoriteteve rajonale. Pavarësisht përpjekjeve intensive, hetimet nuk prodhuan asnjë pistë konkrete dhe çështja përfundoi në listën e ҫёshtjeve tё pazgjidhura.
Dosja u mbajt e hapur ndër vite dhe më pas iu kalua njësisë së rasteve të vjetra në Gila County Sheriff’s Office, e cila rihapi hetimet duke përdorur teknologji moderne dhe metoda të reja hetimore.
Sipas autoriteteve, një rishikim i detajuar i provave çoi në një “zbulim vendimtar”, që mundësoi identifikimin dhe gjetjen e saj këtë javë. Sot, Christina është 44 vjeç dhe statusi i saj si person i zhdukur është mbyllur zyrtarisht.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi vendndodhjen apo rrethanat e jetës së saj gjatë këtyre viteve, duke theksuar se kjo bëhet për të respektuar privatësinë dhe mirëqenien e saj.
Rasti konsiderohet një nga zbulimet më të rralla në historinë e çështjeve të pazgjidhura, duke treguar se edhe pas dekadash, dosjet e harruara mund të marrin një fund krejt të papritur.

(Burimi: The Sun)






