Në çatitë e Bazilika e Shën Pjetrit, një nga pikat më ikonike dhe më të vizituara në botë, po merr formë një hapësirë e re për pushim dhe freskim për pelegrinët. Nuk bëhet fjalë për një restorant në kuptimin klasik, por për zgjerimin dhe modernizimin e një zone ekzistuese, ku vizitorët do të mund të ulen, të pushojnë dhe të konsumojnë pije, veçanërisht gjatë muajve me mot të ngrohtë romak.
Sipas përfaqësuesve të Bazilikës, projekti synon të zgjerojë zonën e vogël aktuale të pijeve me një stil të thjeshtë dhe të matur, në përputhje me karakterin e shenjtë të vendit. Qëllimi kryesor është t’u përgjigjet nevojave praktike të pelegrinëve dhe të përballojë fluksin gjithnjë e më të madh të vizitorëve, pa cenuar atmosferën shpirtërore të Bazilikës.
Nga Vatikani bëhet e ditur se po shqyrtohet zgjerimi i tarracës së aksesueshme për publikun, një masë që pritet të lehtësojë mbipopullimin brenda Bazilikës dhe të krijojë një hapësirë më të qetë, që favorizon reflektimin dhe pushimin. Ideja është që vizitorët të kenë mundësinë të ndalen jashtë, në një nga tarracat panoramike më të bukura të Romës, përpara ose pas vizitës në brendësi.
Lajmi u raportua fillimisht nga e përditshmja italiane Il Messaggero, e cila e përshkroi këtë hapësirë si një vend ku pelegrinët mund të ndalojnë për pak kohë. Sipas gazetës, zona po ndërtohet duke shfrytëzuar disa ambiente që më parë përdoreshin për ruajtjen e materialeve nga punonjësit historikë përgjegjës për mirëmbajtjen e Bazilikës.
Materialet dhe mobiljet kanë mbërritur vetëm në javët e fundit, çka tregon se puna është në zhvillim, megjithëse ende nuk ka një datë zyrtare për përfundimin e projektit. Zgjerimi i zonës së freskimit nuk është një ide e re, por një projekt që ka qenë në diskutim prej kohësh. Fillimisht ishte planifikuar të hapej gjatë Jubileut, por afatet teknike e bënë të pamundur realizimin në atë periudhë.
Burime pranë administratës së Bazilikës theksojnë se nuk bëhet fjalë për hapjen e një “bistroje” apo restoranti të ri, por thjesht për përmirësimin e një pike freskimi që ekziston prej vitesh. Aktualisht, në tarracën që të çon drejt kupolës së famshme – “cupolone”, siç e quajnë romakët – ndodhet një bar i vogël, ku vizitorët mund të blejnë kryesisht pije.
Ngjitja e gjatë e shkallëve dhe temperaturat e larta që zgjasin për muaj të tërë e kanë kthyer këtë ndalesë në një pushim të domosdoshëm për pelegrinët dhe turistët. Edhe pse Jubileu ka përfunduar, fluksi i vizitorëve në Vatikan mbetet i lartë, i ushqyer edhe nga interesi i shtuar për Papën e ri.
(Burimi: ANSA)






