Nga kontrasT.al
Ka ligje që testohen nga koha. Por ka edhe ligje që nuk u jepet as koha të provohen. Ligji 52/2024 për etiketimin e produkteve me ndikim në energji i përket kategorisë së dytë.
Miratuar e hyrë në fuqi në maj – qershor 2024, i shpallur me shumë “krenari” parlamentare, si i përafruar plotësisht me Rregulloren (BE) 2017/1369, ky ligj që nuk i ka mbushur akoma dy vite jetë, tashmë po ribëhet.
Pse dhe nga kush?
Jo nga qeveria. As nga ndonjë proces i gjerë konsultimi. Por thjesht dhe vetëm nga një deputet. Emri i tij njihet mirë nga dje. Është ish-kryetatimori Ceno Klosi.
Është krijuar një traditë parlamentare kur “lind” nevoja për “goditje” të mëdha. Të gjitha projektligjet me ngarkesa shumëtonëshe u jepen për t’i propozuar deputetëve me fare pak peshë. Ndoshta ky nuk është rasti.
Në nëntor 2025, deputeti i listës “Balluku”, Ceno Klosi, depozitoi një projektligj që, në pamje të parë, premton vetëm “disa ndryshime dhe shtesa”. Por që në thelb, ndryshimet janë rrënjësore. Ato ndryshojnë nga themelet rregullat e lojës në treg.
Ligji që deri dje rregullonte etiketimin – pra informimin e konsumatorit – tani zgjerohet, madje “shqyhet” për të përfshirë “projektimin ekologjik”.
Me një fjali të vetme, objekti i ligjit ndryshohet: nga etiketa në dizajnin e vetë produktit. Nga informacioni, në kontrollin e hyrjes në treg.

Ekodizajni “Klosi” vendos kush hyn në treg
Projektligji i deputetit Ceno Klosi është tepër serioz. Ai shton përkufizime të reja, fut koncepte europeiste, siç është p.sh. cikli i jetës së produktit, projektimi ekologjik apo performanca dhe marka CE.
Por mbi të gjitha, projekti “Klosi” krijon një mekanizëm të ri “euroatlantik”: produktet nuk mund të vendosen më në treg nëse nuk përmbushin kërkesat e ekodizajnit.
Por se cilat janë këto kërkesa ekodizajni sipas projektligjit, ai nuk e thotë.
Kërkesat që lidhen me ekodizajnin, projekti “Klosi” i delegon tek Këshilli i Ministrave, pra kryeministri. Ky i fundit do t’i përcaktojë më vonë, me vendime të veçanta ato. Sot vihet thjesht dera e madhe, shumë e rëndë me “ligj”, ndërsa nesër e vendos tjetërkush kush kalon dhe kush jo.
Si do të jenë kërkesat e ekodizajnit?
Sipas projektit, mund të përfshijnë kufizimin e konsumit të energjisë, përdorimin e burimeve, zvogëlimin e materialeve të rrezikshme, riparueshmërinë dhe riciklueshmërinë. Po aty ngarkohet prodhuesi, furnizuesi, importuesi apo tregtari të përgatisë dosjen teknike me analizën e ciklit të jetës dhe dokumentacionin provues; dogana verifikon përputhshmërinë në import; strukturat e mbikëqyrjes kontrollojnë produktet në qarkullim; dhe shkelja dënohet me gjobë 350 mijë lekë.
Në praktikë, do të thotë se nisma nuk sjell thjesht një standard informimi për konsumatorin. Ajo ngre një regjim të ri filtrimi administrativ, me kosto të reja dokumentimi, kontrolli dhe rrezik penalizimi për gjithë operatorët ekonomikë.
Kujt i shërben?
Relacioni, që duhej të ishte zemra argumentuese e nismës së deputetit Ceno Klosi, të befason me boshllëkun e tij. Ai flet me fjali pompoze për “harmonizim me BE-në”, “rritje të konkurrueshmërisë”, “mbrojtje të konsumatorit”, “nxitje të inovacionit” dhe “reduktim emisionesh”, por nuk sjell asnjë të dhënë konkrete për tregun vendas, atë shqiptar, sepse për Shqipëri po bëhet ky ligj.
Asnjë analizë sektoriale, asnjë inventar produktesh që preken, asnjë provë të dështimit të ligjit ekzistues.




A dështoi kur u provua implementimi praktik i tij?
Asnjë vlerësim të kostove të pajtueshmërisë për importuesit e vegjël, asnjë skenar mbi çmimet për konsumatorin dhe asnjë pasqyrë se cilët operatorë përfitojnë apo goditen nga kriteret e reja.
Relacioni “Klosi” përdor thatë fjalinë klishe “nisma nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhet”, përveç kostove minimale operative. Flet për përfitime të përgjithshme, por pa asnjë bazë numerike, asnjë.
Ndërkohë, barra bie menjëherë mbi operatorët e shumtë privatë: prodhues, importues, tregtarë. Dosje teknike, analiza të ciklit të jetës, dokumentacion për përputhshmërinë, kontrolle në doganë, mbikëqyrje në treg, gjoba deri në 350 mijë lekë.
I miratuar, ky nuk do të ishte më një ligj që do të duhej të garantonte informimin e konsumatorit, por do të kthehej në një regjim filtrimi administrativ.
Dhe në çdo regjim të tillë, pyetja nuk është vetëm “çfarë kërkohet”, por “kush e përballon dot” nga aktorët e tregut. Kush nuk e përballon dot, del jashtë tij duke pakësuar konkurrencën.
Po kujt i intereson kjo? Në praktikë, nuk janë të gjithë njësoj. Operatorët e mëdhenj, të ashtuquajturit “oligarkë”, kanë burime, staf juridik, kapacitete teknike. Ata përshtaten.
Ndërsa operatorët e vegjël – ata që importojnë, shpërndajnë, mbajnë konkurrencën gjallë – do goditeshin menjëherë nga pasiguria dhe kostot e paparashikueshme.
Kështu, ligji krijon kushtet ideale për përqendrimin e tregut, monopolizimin e tij.
Konsumatorët dhe impakti real
Për qytetarin, rreziku i parë është rritja e kostos. Çdo burokraci në formën e kërkesave të reja teknike, çdo dosje shtesë, çdo verifikim në doganë, çdo filtër i ri pajtueshmërie dhe çdo pasiguri rregullatore përkthehet në çmim më të lartë në rafte. Jo sepse ideja e standardeve mjedisore është e gabuar, por sepse mënyra si kërkohet të futen këto standarde është e paqartë, e deleguar dhe e pambështetur me analizë konkrete. Qytetari mund të përfundojë duke paguar më shumë për më pak zgjedhje, ndërkohë që i shitet propaganda e “mbrojtjes së konsumatorit”.
Për tregtarët dhe importuesit, sidomos për operatorët e vegjël dhe të mesëm, rreziku është edhe më i drejtpërdrejtë.
Kur ligji jep vetëm kornizën e gjerë dhe i lë rregullat “për më vonë”, me akte nënligjore që do të dalin brenda një viti, atëherë tregu futet në një zonë pasigurie ku askush nuk e di sot se çfarë dokumentesh, testesh, ҫertifikimesh apo standardesh shtesë do t’i kërkohen nesër.

Ky është terreni klasik ku favorizohen operatorët e mëdhenj, “oligarkët”, të konsoliduar, me kapacitete juridike, teknike dhe financiare për të absorbuar barrën e papritur të “kërkesave ligjore”, ndërsa lojtarët më të vegjël do shtyhen drejt daljes nga një treg i pamundur, jo sepse produkti i tyre nuk vlen, por sepse nuk përballojnë dot koston e burokracisë. Kjo është mënyra perfekte se si monopolizohet tregu në emër të standardit!
Kë favorizon projektligji “Klosi”?
Është ende herët për të emërtuar përfitues specifikë. Ndoshta atë e di vetëm deputeti Ceno Klosi. Por propozimi krijon një mekanizëm që mund të përdoret lehtësisht në mënyrë selektive nesër.
Kur kriteret shtyhen për VKM të mëvonshme, atëherë ligji nuk është më thjesht instrument rregullues, por një instrument me potencial të qartë për të “kapur” tregun. Jo në sallën e ekspozimit, por në zyrën e doganës, në tavolinën e inspektorit dhe në korridoret e pushtetit, aty ku do shkruhen aktet nënligjore.
Ja pse ekodizajni “Klosi” përcjell më shumë dyshim sesa risi që vijnë në emër të “legjislacionit europian”.
Në emër të “përafrimit”, filtra të panjohur po përgatiten për tregun e lirë në Shqipëri. Askush nuk i njeh. Askush nuk e di në interes të kujt po vendosen. Përveç deputetit propozues të projektligjit, z. Ceno Klosi.
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.







