Nga kontrasT.al
Bordi i Transparencës publikon çdo ditë çmimet e karburanteve, si një horoskop ekonomik. Ndërsa Bordi pasqyron me shifra “Portokallinë” e realizmit tonë energjetik, qytetarët shohin me një përzierje dyshimi dhe shprese, çmimet e ditës tjetër.
Litri për naftë e për benzinë paraqitet si përkujdesje e shtetit që “mbron konsumatorin”, por që ruan njëkohësisht edhe krijesën mitologjike të krijuar prej tij, me emrin “Konkurrenca e ndershme në treg”.
Arti i “mbrojtjes” së konsumatorit
Çmimet e vendosura nga Bordi i Transparencës janë poshtë pragut magjik të 220 lekëve për naftën dhe 200 lekëve për benzinën. Kjo do të thotë se, qytetarët kanë privilegjin të paguajnë 100% të akcizës, pra jo vetëm 80% të saj.
Shteti ynë, nuk heq dorë nga një pjesë e barrës fiskale për të lehtësuar qytetarët. Ai jo vetëm që nuk e heq, por të bën “patriot fiskal” me zor, përmes metodës: sa më shumë paguan, aq më shumë kontribuon në stabilitetin kombëtar të arkës së shtetit.
Por ky patriotizëm ka për më shumë se një muaj, nga fillimi i luftës për “Gjirin e Ormuzit” që nuk po i bind më shqiptarët.

Eksodi i Pashkëve
Me një koreografi të përsosur, shqiptarët këto ditë, festën e Pashkëve e kthyen në “Eksodin e Pashkëve”. Ata udhëtuan me mijëra në kufijtë pranë, për të ikur me serbator bosh e për t’u kthyer me depozita por edhe çanta plot.
Ka më shumë se një muaj që shqiptarët e shohin Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Kosovën dhe Malin e Zi, si alternativën fundjavore. Si zgjidhjen ekonomike dhe atë shpirtërore. Atje ata blejnë qetësinë që të jep një serbator makine plot apo çanta me ushqime, pa ndjerë dhimbjen ekzistenciale të portofolit.
Në kufijtë tokësorë të Shqipërisë, rreshtat e gjatë të makinave, nuk kanë të bëjnë me gëzimin e festës apo argëtimin që të jep fundjava te fqinjët tokësorë. Ato tregojnë lodhje, dëshpërim dhe depozita të mbushura deri në kapakun e fundit – si një akt i vogël rebelimi ekonomik.
Tashmë në Shqipëri, nafta dhe benzina nuk janë thjesht karburant, por investim emocional.
Ekonomia e paradoksit të madh
Institucionet po deklarojnë se janë të angazhuara për “mbrojtjen e interesave të konsumatorëve”, në të njëjtën kohë, kur konsumatori shqiptar si specie tepër e adaptueshme, po mbush arka, çanta dhe serbatorë matanë kufirit amëtar, për të kursyer disa euro që humbin në xhepat e “shpuar” të shtetit të tij.
Shteti dhe realiteti transparent
Fjala “transparencë” në daljet e zëdhënësve të qeverisë, përdoret me një art të veçantë, për të ngulitur në mendjet e të hutuarve se gjithçka është vërtet transparente. Transparenca po trajtohet si një lloj karburanti mediatik.
Transparente janë çmimet e larta. Akciza e karburanteve aplikohet e plotë – me transparencë të plotë. Dhe në realitetin transparent, ku shqiptarët nuk po gjejnë alternativa për një jetë normale, nuk ka asgjë të keqe që atë ta gjejnë jashtë shtetit të tyre transparent. Edhe kjo nuk fshihet, por raportohet me transparencë: shqiptarët udhëtojnë shumë matanë kufirit.
Qeverisja jo domosdoshmërisht duhet të jetë e drejtë, por të paktën është e sinqertë kur i përcjell shtetasit e vet me bidona nëpër duar te fqinjët e saj. Dhe për këtë duhet përgëzuar, se nuk fsheh asgjë. Madje po e lejon realitetin të rrjedhë ashtu si është – transparent.
Shqipëria si destinacion auto tranziti
Shqipëria e muajit të luftës në Iran, është kthyer në një stacion auto tranziti, veçanërisht për qytetet pranë kufitare, ku qytetarët mbushin letra brenda vendit, ndërsa makina dhe çanta me ushqime, jashtë tij.
Raporti shtet – popull ka një paradoks që kërkon shpjegim: Megjithëse shteti vendos çmime për të mbrojtur qytetarët e tij, ata “arratisen” nga përkujdesja e tij. Kalojnë kufirin për t’u mbrojtur ekonomikisht nga vetë shteti.
Me serbatorë dhe “trasta” plot, shqiptarët kthehen në shtëpi, nga “festa” e furnizimit.
Pashkët, këtë herë erdhën si një mundësi e vërtetë ringjalljeje për ta, ku festa u përzie me nevojën ekonomike për të sjellë paqen financiare & shpirtërore.
Dhe ndërsa rruga e kthimit të serbatorëve plot, e lehtëson për pak ekonominë e shqiptarit, shpresa e boshatisur e të ardhmes së pasigurt, mbetet prezente përballë tij, si pamje që i ngjan EKSODIT!
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





