Eksperti Enea Janko deklaroi në media se ka kryer një studim të detajuar mbi popullsinë shqiptare për periudhën 2025–2030.
Sipas të dhënave të studimit, popullsia rezidente në Shqipëri, me ritmin e statistikave të krahasuara, do të vazhdojë të bjerë nga viti në vit deri në 2030 e më pas, ndërsa ajo në emigracion do të rritet gjithnjë e më tepër duke tejkaluar përfundimisht popullsinë që është rezidente brenda vendit.
Pasojat e këtij fenomeni do të reflektojnë mbi tregun e punës dhe strategjitë e kompanive prodhuese shqiptare – thotë eksperti, duke u bërë detyrimisht një udhërrëfyes i domosdoshëm për vendimmarrësit dhe bizneset që duan të përballojnë sfidat e së ardhmes.
Sipas ekspertit që ka studiuar të dhënat e fenomenit të “çpopullimit”, bazuar në të dhëna zyrtare si ato të INSTAT, vizave emigruese në SHBA apo ato të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët, popullsia në vendin tonë nga viti 2011 deri në 2025 ka rënë me 14%, për shkak të emigrimit të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit amë.

Janari 2026 është viti i parë që popullsia e Shqipërisë është më e vogël se ajo që jeton dhe banon jashtë vendit – pretendon eksperti. Pra, popullsia shqiptare e diasporës është më e madhe se ajo që banon dhe është rezidente e përhershme në Shqipëri.
Eksodusi
Në greqishten e vjetër fjala “éxodos” ka kuptimin e largimit masiv të popullsisë nga një vend, siç është rrëfimi biblik i ikjes së izraelitëve nga skllavëria në Egjipt drejt Tokës së Premtuar nën udhëheqjen e Moisiut.
Në kontekstin modern social/migrator, termi përdoret për të përshkruar emigrimin e një numri të madh njerëzish për shkak të luftës, persekutimit ose krizave ekonomike. Eksodusi i popullsisë shqiptare i viteve ’90 përfaqëson largimin masiv të njerëzve nga vendlindja për arsye ekonomike dhe psiko-sociale prej mbylljes hermetike të kufijve për më shumë se 40 vjet nga regjimi diktatorial komunist.
Në kohën që jetojmë në Shqipëri, eksodusi përfshin ikjen, largimin nga vendi të një mase të larmishme popullsie dhe shtresash. Ikën rinia, që konsiderohet e ardhmja, ikën shtresa e mesme dhe profesionistët e kualifikuar që konsiderohen si “eksodusi i trurit”. Ikin edhe moshat e treta, që u bashkohen familjeve të tyre në SHBA, Evropë dhe kudo.
Eksoduan shumë shqiptarë që, sipas ekspertit Janko, sot bënë që popullsia e Shqipërisë të jetë më e vogël se ajo që jeton jashtë kufijve të saj.
Nëpër rrugët, rrugicat, karburantet, marketet, lagjet, qytetet e Shqipërisë po shihen gjithnjë e më shumë të huaj që jetojnë e punojnë në vendin tonë. Para disa vitesh pamja e tyre bënte përshtypje dhe komentohej, sot është kthyer në normalitet.
Nëse shqiptarët autoktonë vazhdojnë dhe ikin, kush do t’i popullojë kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913?






