Një sulm i armatosur tronditi qytetin portual Guayaquil në Ekuador, ku persona të maskuar dhe të veshur si policë hynë në një kompleks sportiv dhe ekzekutuan tre burra gjatë një ndeshjeje minifutbolli.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur tre persona të armatosur futen në fushë, ndërsa lojtarët, duke kuptuar rrezikun, shtrihen përtokë për të shmangur sulmin. Autorët identifikojnë objektivin e tyre, një burrë i veshur me të zeza në qendër të fushës, e godasin dhe më pas e qëllojnë për vdekje. Sulmi zgjati vetëm pak minuta, pastaj autorët u larguan me shpejtësi.
Më vonë, policia gjeti edhe dy trupa të tjerë në zonën përreth kompleksit. Sipas autoriteteve, sulmuesit kishin neutralizuar dhe lidhur më parë rojet e sigurisë, duke u marrë armët e shërbimit.
Një nga viktimat është identifikuar si Stalin Rolando Olivero Vargas, 40 vjeç, i njohur me nofkën “Marino”, i dyshuar si drejtues i një grupi të krimit të organizuar lokal. Dy viktimat e tjera, Jefferson Xavier Salon Olivero dhe Richard Josue Mina Vergara, rezultojnë me precedentë penalë për vepra të rënda.
Ministri i Brendshëm ekuadorian deklaroi se vrasja dyshohet të jetë rezultat i përplasjeve mes bandave rivale kriminale që veprojnë në jug të Guayaquil. Deri tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ngjarja është një tjetër episod i rëndë në valën e dhunës që ka përfshirë Ekuadorin muajt e fundit, veçanërisht në zonat ku operojnë grupe të trafikut të drogës.






