Një seri email-esh të publikuara së fundmi kanë hedhur dritë mbi natyrën e marrëdhënies mes Sarah Ferguson dhe Epsteinit, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi afërsinë mes tyre dhe kontaktet e vazhdueshme edhe pas dënimit të tij.
Dokumentet tregojnë se ish-dukesha e York-ut i kishte dërguar disa mesazhe me tone miqësore dhe falënderuese. Në një email të dërguar rreth gjashtë muaj pas lirimit të tij nga burgu, ajo shkruante: “Ti je një legjendë. Vërtet nuk kam fjalë për të përshkruar dashurinë time dhe mirënjohjen për bujarinë dhe mirësinë tënde. Xx Jam në shërbimin tënd. Thjesht martohu me mua.”
Ideja e martesës përmendet sërish në një tjetër mesazh të shtatorit 2009, ku Ferguson duket se bën edhe një referencë për një grua tjetër: “Mund të martohesh edhe me të. Është beqare dhe me një trup të mrekullueshëm. Mirë pra, martohu me mua dhe pastaj e punësojmë atë.”
Email-e të tjera sugjerojnë një varësi emocionale dhe profesionale. Në një mesazh të gushtit 2010 ajo shkruante: “Po ndihem shumë e traumatizuar dhe e vetmuar. Dua të punoj për ty duke organizuar shtëpitë e tua.”Më pas pyeste: “Kur do të më punësosh?”, ndërsa në të njëjtën ditë shtonte: “Uf… ende më do.”
Në një komunikim të vitit 2011, ajo shprehte zhgënjim për ftohjen e marrëdhënies mes tyre: “Je zhdukur. As nuk e dija që po bëheshe me fëmijë. E kam tё qartë tani që ishe mik me mua vetëm për të arritur te Andrew. Dhe kjo më lëndoi thellë, aq sa nuk e merr dot me mend.”
Sipas dokumenteve, Ferguson madje kishte udhëtuar për ta takuar vetëm pak ditë pas lirimit nga burgu dhe kishte marrë me vete edhe vajzat e saj, Princeshën Beatrice dhe Princeshën Eugenie, atëherë rreth të njëzetave.


Zëdhënësi i saj ka deklaruar më herët se ajo është penduar për lidhjen me të dhe se, sapo kuptoi shkallën e akuzave, ndërpreu kontaktet dhe e dënoi publikisht, duke shtuar se, “si shumë të tjerë, edhe ajo ishte mashtruar nga gënjeshtrat e tij”.
Në korrespondencë përmendet edhe ish-bashkëshorti i saj, Princi Andrew, i cili ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje. Ndërkohë, policia britanike po shqyrton pretendime të reja lidhur me një grua që dyshohet se është dërguar në Mbretërinë e Bashkuar për një takim me të në vitin 2010. Presioni publik ndaj princit për të dëshmuar është rritur, ndërsa autoritetet theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit në çdo hetim që lidhet me viktimat.
Publikimi i këtyre materialeve ka rikthyer vëmendjen te lidhjet e figurave publike me financierin dhe ka shtuar debatet mbi përgjegjësinë, transparencën dhe distancimin nga marrëdhënie të tilla pas daljes në dritë të akuzave.
(Burimi: Mirror)






