Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të martën se do të tërheqin të gjitha forcat e tyre të mbetura nga Jemeni, në një zhvillim që shënon përshkallëzimin më serioz të krizës me Arabinë Saudite deri më tani.
Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Arabia Saudite udhëhoqi një sulm ajror ndaj portit jugor jemenas Mukalla, duke shënjestruar atë që Riadi e përshkroi si një ngarkesë armësh të lidhur me Emiratet dhe të destinuar për separatistët jugorë të mbështetur prej tyre. Pas sulmit, Arabia Saudite mbështeti thirrjet e Këshillit Presidencial të Jemenit që forcat emiratase të largoheshin nga vendi brenda 24 orësh.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve deklaroi se po i jep fund “në mënyrë vullnetare” misionit të njësive të saj kundër terrorizmit në Jemen, të cilat përbënin praninë e fundit ushtarake të tyre në vend, pasi Abu Dhabi kishte reduktuar ndjeshëm rolin e tij ushtarak që në vitin 2019. Sipas deklaratës zyrtare, vendimi u mor pas një vlerësimi të plotë të zhvillimeve të fundit në terren.
Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit Presidencial të Jemenit, Rashad al-Alimi, akuzoi Emiratet se po nxisin destabilizimin e vendit përmes mbështetjes ndaj Këshillit Tranzicional Jugor (STC), një grup separatist që kërkon vetëqeverisje në jug të Jemenit. Në një fjalim televiziv, Al-Alimi i dha Emirateve ultimatum për largim dhe anuloi një marrëveshje mbrojtjeje me Abu Dhabin.
Separatistët e mbështetur nga Emiratet i hodhën poshtë thirrjet për tërheqje. Një zëdhënës i STC-së deklaroi se ata nuk do të largohen nga territoret që kontrollojnë, duke theksuar se “është e paarsyeshme që pronari i tokës të kërkohet të largohet nga toka e vet”.
Sulmi ajror në Mukalla shënon përplasjen më të hapur mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, dy aleatë tradicionalë në Gjirin Persik, interesat e të cilëve në Jemen kanë qenë gjithnjë e më të kundërta vitet e fundit. Ndërsa Riadi ka mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, Emiratet kanë ndihmuar forcat separatiste në jug, duke krijuar tensione të vazhdueshme brenda koalicionit.
Emiratet mohuan akuzat për dërgim armësh, duke deklaruar se ngarkesa e goditur nga sulmi saudit nuk përmbante armë dhe ishte e destinuar për forcat e tyre në terren. Ata theksuan se situata duhet trajtuar me përgjegjësi për të shmangur një përshkallëzim më të madh.
Kriza ka pasur edhe ndikime ekonomike: tregjet kryesore të aksioneve në Gjirin Persik shënuan rënie, ndërsa vëzhguesit paralajmërojnë se përplasjet mes dy fuqive të mëdha të OPEC+ mund të ndikojnë edhe në vendimmarrjen për prodhimin e naftës në muajt në vijim.
(Burimi: France 24, Reuters, AFP)






