Në një kohë kur bota funksionon me navigim dixhital, Londra po i kthehet shekullit të kaluar. Autoritetet britanike po zbatojnë një rregull të pazakontë: shoferët e rinj të taksive duhet të punojnë pa GPS.
Kush kërkon të ushtrojë këtë profesion në kryeqytetin britanik, duhet të mësojë përmendësh një labirint rrugësh që edhe aplikacionet më të avancuara mezi e përballojnë.
Testi legjendar, i njohur si “The Knowledge”, kërkon që çdo kandidat të dijë përmendësh të paktën 25,000 rrugë dhe rreth 20,000 pika referimi – hotele, spitale, muze, ura, lagje, sheshe dhe çdo kthesë të mundshme. Për të kaluar provimin duhet të orientohesh me mendje, të gjesh rrugën më të shkurtër dhe alternativat, në një qytet që konsiderohet një nga më të ndërlikuarit në Evropë.
Përfytyroni: pa GPS, pa Google Maps, pa harta digjitale — vetëm truri juaj si navigues. Në Londër, kjo është ende realitet. Të bëhesh shofer taksie nuk është thjesht një punë, por një mision që kërkon vite studimi dhe ushtrimi.
Ekspertët mendojnë se kjo mund të shërbejë edhe si masë sigurie në rast të një lufte kibernetike ose bllokimi të sistemeve digjitale. Nëse teknologjia bie, një pjesë e popullsisë duhet të jetë ende në gjendje të orientohet dhe të funksionojë pa mbështetjen e saj.
Në një epokë ku çdo njeri ndjek një shigjetë në ekran për të gjetur rrugën, Londra po na kujton se ndonjëherë “memoria njerëzore” mund të jetë teknologjia më e besueshme.
(Burimi: TGCOM)






