Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Stamboll, ku në fokus ishin përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë, Erdogan rikonfirmoi mbështetjen e Ankarasë për vazhdimin e negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, duke theksuar se rajoni ka nevojë urgjente për më shumë paqe dhe stabilitet.
Gjatë bisedimeve, presidenti turk vuri theks të veçantë te siguria në Detin e Zi, duke nënvizuar rëndësinë e lundrimit të sigurt dhe të garantimit të furnizimeve energjetike, elementë kyç për stabilitetin ekonomik dhe gjeopolitik të rajonit.
Erdogan theksoi gjithashtu vendosmërinë e Turqisë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me Ukrainën, duke nënvizuar se Ankaraja do të vijojë të ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e tregtisë dypalëshe.
Në të njëjtën kohë, ai shprehu kënaqësinë për përpjekjet e Ukrainës për të zgjeruar marrëdhëniet me vendet e Gjirit, duke e konsideruar këtë si një zhvillim pozitiv për stabilitetin ekonomik të Kievit.
Takimi në Stamboll vjen vetëm një ditë pasi Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të ndërmjetësuar një zgjidhje të mundshme për konfliktin që vijon prej më shumë se dy vitesh.
Kjo lëvizje konfirmon rolin që Turqia po përpiqet të luajë si ndërmjetëse mes palëve, duke ruajtur kanale komunikimi si me Moskën, ashtu edhe me Kievin.






