Presidenti francez Emmanuel Macron prezantoi të enjten një program të ri shërbimi ushtarak vullnetar, me kohëzgjatje 10-mujore, si përgjigje ndaj kërcënimit të shtuar nga Rusia dhe frikës për përshkallëzim të konfliktit në Europë. Gjatë vizitës në një bazë të këmbësorisë në Varces, në Alpet franceze, Macron bëri të ditur se programi do të nisë verën e ardhshme dhe synon të arrijë në 50 mijë rekrutë në vit deri në vitin 2035, kryesisht të rinj 18 dhe 19-vjeçarë.
Lajmi vjen pothuajse njëkohësisht me diskutimet intensive në Gjermani për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ku qeveria gjermane po shqyrton opsionet për reformim të plotë të sistemit të mbrojtjes dhe shtimit të rezervistëve, përballë pasigurisë së sigurisë në kontinent. Ndërsa Berlini ka sinjalizuar se mund të rikthejë detyrimin ushtarak pas më shumë se një dekade, Franca ka zgjedhur fazën e parë me karakter vullnetar, si hap drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe gatishmërisë strategjike.
“Një shërbim i ri kombëtar do të vendoset gradualisht, përballë rrezikut real që paraqet Rusia,” u shpreh Macron, duke paralajmëruar se çdo shenjë dobësie në Europë do të inkurajonte Moskën të shtynte kufijtë e ndikimit të saj përtej Ukrainës. Ai njoftoi se buxheti i mbrojtjes do të arrijë në 64 miliardë euro në vit deri në 2027 — dyfish i nivelit të vitit 2017.
Komentet e tij vijnё pas deklaratave tё ashpra të Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneralit Fabien Mandon, i cili javën e kaluar tha se Franca duhet të përgatitet “të sakrifikojë fëmijët e saj” në rast përplasjeje të mundshme ushtarake me Rusinë deri në vitin 2030 — deklaratë që shkaktoi debat të gjerë publik dhe akuza për nxitje lufte nga e majta politike. Përballë kritikave, Macron theksoi se të rinjtë nuk do të dërgohen në Ukrainë dhe se programi do të zbatohet vetëm brenda territorit francez.
Tendenca europiane drejt forcimit të ushtrive kombëtare po bëhet gjithnjë e më e dukshme, me vendet baltike si Letonia dhe Lituania që e kanë rikthyer tashmë shёrbimin ushtarak, ndërsa Danimarka ka forcuar kriteret e rekrutimit. Ky ndryshim vjen në momentin kur qetësia e Kontinentit të Vjetër duket më e brishtë se kurrë që prej Luftës së Ftohtë — dhe masa e Francës shihet si një tjetër sinjal alarmi përpara asaj që shumë analistë po e quajnë “epoka e rikthimit të mbrojtjes së ashpër”.
(Pёrshtatur nga FRANCE 24)






