Përkeqësimi i marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara ka nxjerrë në pah një nga dobësitë më të mëdha të kontinentit: varësinë e thellë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë. Nga komunikimi, te bankat dhe infrastruktura shëndetësore, pothuajse çdo shërbim kritik në Evropë funksionon mbi platforma digjitale të drejtuara kryesisht nga kompani me bazë në SHBA.
Tensionet transatlantike janë rritur gjatë vitit të parë të rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, sidomos pas kërkesave të tij për territorin autonom danez të Groenlandёs dhe kërcënimeve për tarifa tregtare. Kjo ka detyruar BE-në të rishikojë marrëdhënien me aleatin e saj tradicional, duke kuptuar se bashkëpunimi nuk është më aq i sigurt sa dikur.
Varësia që shqetëson Brukselin
Pjesa më e madhe e të dhënave evropiane ruhet në shërbime “cloud” amerikane. Kompani si Amazon, Microsoft dhe Google kontrollojnë mbi dy të tretat e tregut evropian, ndërsa zhvillimi i inteligjencës artificiale dominohet nga aktorë si OpenAI dhe Anthropic. Sipas një raporti të Parlamentit Evropian, BE-ja mbështetet te vendet jashtë unionit për më shumë se 80% të produkteve dhe shërbimeve digjitale.
Një varësi e tillë e ekspozon Evropën ndaj rreziqeve serioze — nga përplasjet gjeopolitike te sulmet kibernetike — që mund të paralizojnë shërbimet publike dhe private.
Synimi: sovraniteti digjital
Për të reduktuar këtë rrezik, ligjvënësit evropianë po shtyjnë për alternativa vendase ndaj “Big Tech”. Në vitin 2024, Komisioni Evropian emëroi komisioneren e parë për “sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë”, Henna Virkkunen, me detyrë hartimin e politikave që do ta bëjnë BE-në më të pavarur në teknologji.
Një nga projektet më ambicioze është nisma Eurostack, e cila synon ndërtimin e një infrastrukture digjitale evropiane të pavarur. Por kostoja është marramendëse: rreth 300 miliardë euro dhe afro një dekadë punë, sipas vlerësimeve të fondacionit Bertelsmann Stiftung. Disa analiza e çojnë faturën deri mbi 5 trilionë euro.
Sipas studiuesit Johan Linåker nga RISE – Research Institutes of Sweden, problemi nuk është mungesa e talentit, por koha dhe investimet. “Evropa ka mendje brilante dhe sipërmarrës të aftë, por sovraniteti varet nga konkurrueshmëria dhe inovacioni,” thekson ai.
Alternativat ekzistojnë – por ndryshimi është i vështirë
Disa shtete si Franca, Gjermania, Holanda dhe Italia kanë nisur të investojnë në platforma “open-source”, që lejojnë modifikim dhe përdorim të lirë të teknologjisë. Ndërkohë, alternativa evropiane tashmë ekzistojnë: rrjeti social Mastodon mund të zëvendësojë platformën X, ndërsa shërbimi zviceran Proton Mail shihet si alternativë ndaj Gmail.
Megjithatë, zakonet janë të vështira për t’u ndryshuar dhe kërkohet një transformim i qëllimshëm i mentalitetit, duke filluar nga vetë institucionet publike.
Shembuj konkretë në terren
Disa projekte pilot po tregojnë se ndryshimi është i mundur. Qyteti suedez Helsingborg po teston se si do të funksiononin shërbimet publike në rast të një ndërprerjeje digjitale. Ndërsa rajoni gjerman Schleswig-Holstein ka zëvendësuar shumicën e sistemeve të bazuara në Microsoft me alternativa open-source, duke anuluar rreth 80% të licencave.
Autoritetet lokale shpresojnë ta eliminojnë pothuajse plotësisht varësinë nga “Big Tech” deri në fund të dekadës — një shembull që, sipas ekspertëve, duhet të ndiqet nga pjesa tjetër e Evropës.
A mund të shkëputet vërtet Evropa?
Megjithatë, një raport strategjik i BE-së pranon se shkëputja e plotë nga teknologjia amerikane është “jorealiste”. Bashkëpunimi me SHBA-në, por edhe me vende si Kina, Japonia, India dhe Koreja e Jugut, pritet të vazhdojë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse një ditë “dikush fik prizën”, pasojat mund të jenë katastrofike. Prandaj, sipas Linåker, qeveritë duhet ta trajtojnë infrastrukturën digjitale si një aset kritik dhe të përgatiten për rreziqet.
Në fund, ҫёshtja qё shtrohet nuk është nëse Evropa duhet të bëhet më e pavarur teknologjikisht — por sa shpejt mund ta arrijë këtë pa tronditur ekonominë dhe shërbimet që mbështeten te gjigantёt amerikanё tё teknologjisё.
(Burimi: France 24)






