Katër astronautë janë kthyer me sukses në Tokë në orët e para të së enjtes, duke përfunduar një mision të pazakontë në hapësirë që u ndërpre rreth një muaj më herët se planifikimi fillestar, për shkak të një problemi mjekësor të shfaqur në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Astronautët e NASA-s Zena Cardman dhe Mike Fincke, astronauti japonez Kimiya Yui dhe kozmonauti rus Oleg Platonov u ulën në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos, në orën 03:41 sipas kohës lokale, pas një udhëtimi kthimi që zgjati afro 11 orë. Kjo ngjarje shënon herën e parë në 25 vite histori të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor që një ekuipazh rikthehet në Tokë para kohe për arsye mjekësore.
Menjëherë pas uljes, qendra e kontrollit të misionit uroi astronautët për kthimin e sigurt, ndërsa NASA konfirmoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se ekuipazhi është i sigurt, ndërsa theksoi se anëtari i ekuipazhit që shkaktoi shqetësimin mjekësor ishte mirë dhe në gjendje tё qёndrueshme. Për arsye privatësie, NASA nuk ka bërë të ditur identitetin apo natyrën e problemit mjekësor.
Sipas Isaacman, situata në orbitë u vlerësua serioze dhe vendimi për kthim të parakohshëm u mor në mënyrë që astronauti i prekur të mund të marrë vlerësime të plota mjekësore në Tokë, ku ekzistojnë të gjitha kapacitetet diagnostikuese.
Problemi mjekësor detyroi NASA-n të anulonte dy ecje hapësinore të planifikuara këtë muaj, gjatë të cilave do të kryheshin përmirësime në pjesën e jashtme të ISS.
Kthimi u realizua me kapsulën SpaceX Dragon Endeavour, e njëjta që i kishte transportuar astronautët drejt stacionit hapësinor në muajin gusht. Kushtet e motit gjatë uljes ishin ideale, ndërsa parashutat e kapsulës u hapën me sukses pak minuta para prekjes së ujit.

Ekipet e rikuperimit mbërritën menjëherë në vendngjarje për të siguruar kapsulën, ndërsa pamje interesante treguan delfinë që notonin rreth saj. Astronautët dolën nga kapsula njëri pas tjetrit, duke buzëqeshur dhe përshëndetur kamerat.
Ekuipazhi, i njohur si Crew-11, kishte kaluar 165 ditë në bordin e ISS. Për Cardman dhe Platonov kjo ishte hera e parë në hapësirë, ndërsa Fincke tani numëron katër misione hapësinore në karrierën e tij.
Pas largimit të tyre, vetëm tre astronautë kanë mbetur aktualisht në stacionin hapësinor. NASA po shqyrton mundësinë e përshpejtimit të nisjes së ekuipazhit të ardhshëm, për të garantuar vazhdimësinë e operacioneve dhe eksperimenteve shkencore në orbitë.







