Në prag të festave, fotove familjare dhe darkёs sё Krishtlindjeve, shumë vajza të vogla ndjejnë papritur një dëshirë të re për “t’u bërë më të bukura”. I kërkojnë nënës të grimohen, hapin çantën e kozmetikës si të ishte një lodër e ndaluar dhe, ajo që gjatë vitit kalon pa u vënë re, në këto ditë kthehet në ritual: shkëlqim buzësh, pak rimel fshehurazi, pak ngjyrё në sy e faqe.
Ndonjëherë është thjesht lojë – imitim i botës së të rriturve. Por herë të tjera, paralajmëron psikologia e fëmijëve María Luisa Ferrerós, kjo dëshirë mund të jetë shenja e parë e një presioni estetik që po vjen gjithnjë e më herët.
Sepse mjafton të hapësh Instagramin apo TikTok-un për të parë vajza shumë të vogla të grimuara, të pozicionuara si modele, me gjeste dhe poza “të mëdha”, sikur festat të ishin një tapet i kuq. Këtu lind pyetja: ku mbaron loja dhe ku fillon nevoja për t’u dukur “më e bukur”? A duhen vendosur kufij? Dhe nëse po, si?
Sipas Ferrerós, rrjetet sociale kanë ndryshuar gjithçka. Grimi nuk është më një lojë e rastësishme, por po kthehet në shenjë identiteti dhe statusi. “Ajo që dikur ishte kuriozitet, sot është kërkesë. Lidhet me trupin, veshjen, flokët dhe idenë se duhet të dukesh perfekte. Nuk ka më asgjë lozonjare në këtë”, thotë ajo. Familjet, sipas saj, duhet të punojnë më shumë me botën e brendshme të fëmijëve, sepse po i japim tepër rëndësi pamjes së jashtme.
Edhe Maria José Gómez y Verdú, eksperte e protokollit dhe komunikimit, vëren se estetika e të rriturve ka “pushtuar” fëmijërinë. Ajo flet për pritshmëri të rreme: “Ajo që dikur ishte spontanitet – gërsheta të çrregullta, gjunjë të ndotur, buzëqeshje të sinqerta – sot duket e pamjaftueshme përballë imazhit të lëmuar që shohim në ekrane”. Sipas saj, familjet ndihen të detyruara t’i paraqesin vajzat gjithmonë të rregullta, “sikur çdo dalje publike të ishte një vitrinë”.
Në konsultat e saj, Ferrerós sheh shpesh vajza nga 13 deri në 20 vjeç me vetëbesim shumë të ulët, sepse krahasohen vazhdimisht me fytyra perfekte në rrjetet sociale. Edhe kur u shpjegohet se shumë imazhe janë të retushuara, ato duan t’i ngjajnë atij ideali dhe përfundojnë duke besuar se, nëse nuk e arrijnë, nuk vlejnë mjaftueshëm.
“Sinjali i alarmit,” thotë ajo, “është kur grimi kthehet në rutinë: kur një vajzë mendon se nuk mund të dalë pa u grimuar, kur i duhen orë për të zgjedhur rrobat, apo kur jeton me frikën se si do ta shikojnë të tjerët”.
Sa i përket moshës, Ferrerós vendos një kufi të qartë: pas moshës 12–13 vjeç. Para kësaj, sipas saj, grimi i rregullt është i papërshtatshëm. Por ajo thekson se as ndalimi absolut nuk është zgjidhje: gjithçka kërkon ekuilibër.
Ekspertët sugjerojnë alternativa lozonjare: pak shkëlqim për festa, pa e kthyer grimin në mjet për “zbukurim”. Ajo që konsiderohet e tepruar është grimi që synon të ndryshojë pamjen apo ta bëjë vajzën të duket më e rritur: bazë, konturim, theksim buzësh, qerpikë artificialë – elemente që i përkasin botës së të rriturve.
Një tjetër pikë e rëndësishme është shembulli në familje. “Nëse një vajzë sheh që pamja është gjithmonë në qendër, që nëna kalon orë të tëra duke u grimuar dhe çdo produkt i ri kozmetik shihet si i domosdoshëm, është e natyrshme që ajo ta imitojë këtë model”, shpjegon Ferrerós. “Kur lejojmё një fëmijë të grimuar, i dërgojmë mesazhin se duam që ajo të rritet sa më shpejt. Dhe ky është një gabim i madh edukativ”.
Po nё Shqipёri, si ёshtё realiteti?
Edhe në Shqipëri, sidomos për festa e ditёlindje, kemi një prirje për t’i “rregulluar” vajzat e vogla: t’i bëjmë gati për foto, për familjen, për rrjetet sociale. Shpesh pa e kuptuar, kalojmë nga loja në pritshmëri.
Por fëmijëria nuk është për t’u ekspozuar, është për t’u jetuar. Kufijtë nuk vendosen për të ndaluar gëzimin, por për ta mbrojtur atë. Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është “a lejohet pak grim?”, por: çfarë po i mësojmë vajzave për vlerën e tyre?
(Burimi: El País)






