Shoqata Italiane e Pediatrisë (SIP) ka prezantuar rekomandime të reja zyrtare për përdorimin e pajisjeve teknologjike nga fëmijët dhe adoleshentët, të bazuara në një rishikim sistematik të literaturës ndërkombëtare. Pas udhëzimeve të vitit 2018 dhe 2019, pediatrët analizuan mbi 6,800 studime shkencore, nga të cilat 78 u përfshinë në vlerësimin përfundimtar. Rezultatet e këtij studimi u paraqitën në Senat gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Pediatrisë, të organizuar me iniciativën e senatorit Marco Meloni.
SIP rekomandon shmangien e aksesit të pambikëqyrur në internet para moshës 13 vjeç, për shkak të rreziqeve të ekspozimit ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe ndikimeve të tjera të dëmshme. Po ashtu, sugjerohet shtyrja e përdorimit personal të telefonave inteligjentë deri në moshën 13 vjeç, për të mbrojtur zhvillimin kognitiv, emocional dhe social. Në lidhje me rrjetet sociale, pediatrët këshillojnë që përdorimi i tyre të vonohet sa më shumë të jetë e mundur, idealisht deri në moshën 18 vjeç, edhe pse ligjërisht lejohet më herët.
Rekomandimet e reja përfshijnë gjithashtu shmangien e përdorimit të pajisjeve gjatë vakteve dhe para gjumit; nxitjen e aktivitetit fizik, lojërave krijuese, leximit dhe kohës në natyrë; si dhe mbajtjen e një forme mbikëqyrjeje aktive dhe komunikimi të hapur me fëmijët në çdo moshë.
Studimi analizon efektet e përdorimit të telefonave inteligjentë, tabletëve, videolojërave dhe mediave sociale në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve, si dhe në aftësitë e të mësuarit dhe ndërveprimit shoqëror. Presidenti i Shoqatës Italiane të Pediatrisë, Rino Agostiniani, thekson rëndësinë e shtyrjes sa mё shumё nё kohё të kontaktit me pajisjet digjitale: “Çdo vit shtesë pa një telefon inteligjent është një investim në shëndetin e një fëmije,” deklaroi ai. Sipas tij, fëmijëria dhe adoleshenca janë faza të jashtëzakonshme zhvillimi, ku truri pëson procese të vazhdueshme formimi dhe riorganizimi, dhe ekspozimi i hershëm dhe i zgjatur ndaj teknologjisë mund të ndikojë në vëmendje, të mësuarit dhe rregullimin emocional.
(Burimi: ANSA)






