Një nga shkollat më të njohura të sambas në Rio de Janeiro ka hapur këtë vit Karnavalet me një paradë madhështore kushtuar presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, duke ndezur menjëherë një debat të fortë politik në vend. Homazhi vjen në një vit zgjedhor, kur Lula synon një mandat të katërt, dhe kritikët e kanë cilësuar si një formë të fshehtë fushate elektorale.
Në qendër të spektaklit ishte një robot gjigant metalik që përfaqësonte presidentin 80-vjeçar, ndërsa parada rrëfente historinë e jetës së tij — nga fëmijëria në varfëri në verilindjen e thatë të Brazilit, te puna si metalpunues, më pas lider sindikal dhe në fund president i vendit. Lula dhe bashkëshortja e tij, Rosangela da Silva, e ndoqën shfaqjen nga një prej tribunave VIP përgjatë Sambadromit, bulevardi 700 metra i gjatë ku zhvillohet parada kryesore e Karnavaleve.

Shkolla e sambas Academicos de Niteroi, nga një qytet pranë Rios, është e para që vendos të nderojë një president në detyrë. Spektakli përfshinte punëtorë në grevë, balerinë të veshur me llamba gjigante për të simbolizuar aksesin në energji elektrike dhe skena që paraqisnin shtresat e varfra duke përfituar ndihma sociale — një referencë e qartë ndaj politikave të majta që lidhen me qeverisjen e Lulës.
Publiku këndoi refrenin e njohur të mbështetësve të presidentit: “Ole, ole, ole, ola; Lula, Lula!”, duke i dhënë paradës një atmosferë që për disa dukej më shumë politike sesa festive.
Megjithatë, jo të gjithë e pritën mirë këtë zgjedhje. Opozita reagoi ashpër, duke e konsideruar paradën si propagandë të hershme për zgjedhjet e tetorit. Brazili është aktualisht thellësisht i polarizuar politikisht, dhe për shumë qytetarë përzierja e politikës me një festë kombëtare kaq të dashur shihet si problematike.
“E kam mbështetur gjithmonë Lulën, por vendi është shumë i ndarë dhe nuk e di sa e përshtatshme është t`i lidhësh Karnavalet me politikën,” tha një organizatore eventesh 51-vjeçare që ndoqi paradën.
Parada nuk përmendi drejtpërdrejt zgjedhjet, por mesazhet politike ishin të dukshme. Kënga tematike përfshinte thirrjen “pa amnisti”, slogan i përdorur nga e majta kundër përpjekjeve për të liruar ish-presidentin e ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, i cili po vuan një dënim prej 27 vitesh burg për përfshirje në një komplot për grusht shteti.
Një nga karrocat alegorike paraqiste edhe një klloun gjigant me uniformë burgu dhe byzylyk elektronik në këmbë — një referencë e qartë për Bolsonaron, që shpesh është quajtur “Bozo” nga kritikët e tij.
Ndërkohë, djali i madh i Bolsonaros, senatori Flavio Bolsonaro, publikoi një video të krijuar me inteligjencë artificiale ku paraqitej një paradë tallëse ndaj Lulës, duke e treguar atë pas hekurave dhe duke e quajtur “hajdut”. Flavio është shpallur si kandidati i kampit konservator për zgjedhjet e ardhshme.
Gjykata zgjedhore e Brazilit refuzoi kërkesat e dy partive opozitare për të ndaluar paradën para zhvillimit të saj, por paralajmëroi se mund të nisë hetime nëse konstatohet propagandë elektorale.
Nga ana tjetër, drejtuesit e shkollës së sambas mohuan çdo motiv politik. “Nuk kemi ardhur të bëjmë fushatë. Kemi ardhur të festojmë historinë e një punëtori brazilian,” tha një prej organizatorëve.
Karnavalet e Rios janё një nga festat më të mëdha në botë dhe zakonisht ndërthur muzikën, kulturën afro-braziliane dhe temat sociale. Por këtë vit, karnavalet duket se kanё reflektuar edhe tensionet e forta politike që po kalon Brazili.
(Burimi: France 24, AFP)






