Bill Clinton: “Amerika ndodhet në buzë të një krize që ende nuk e kupton plotësisht”
Në një moment kritik për gjithë globin dhe sigurinë ndërkombëtare, ish-presidenti amerikan Bill Clinton dërgon një mesazh për popullin amerikan, ku analizon politikën e luftës dhe ultimatumin 48-orësh të presidentit Donald Trump ndaj Iranit.
Klinton me përvojën e tij të gjatë si president dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë më të fuqishme të botës, paralajmëron për pasojat që sjell ky vendim për demokracinë amerikane dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Ai parashikon tre skenarë shumë të zymtë me mbylljen e ditës së hënë, 23 Mars 2026, ora 23:44, pas skadimit të një ultimatumi me pasoja historike.
Mё poshtё mesazhi i plotё i Bill Clinton:
Kam parë mjaftueshëm gjatë jetës sime politike për ta njohur atë çast kur një vend gjendet në prag të diçkaje që ende nuk e kupton plotësisht.
Dhe sonte dua t’ju flas hapur, troç, sepse besoj se ndodhemi pikërisht aty, sot.
Shumica e njerëzve janë zgjuar këtë të diel, më 22 mars, duke menduar për familjet e tyre, për faturat e karburantit, ndoshta edhe për turneun e basketbollit. Dhe nuk i fajësoj. Por ndërsa ata flinin, presidenti i Shteteve të Bashkuara publikoi një mesazh në rrjetet sociale nga rezidenca e tij në Florida, duke i dhënë Iranit 48 orë kohë për të rihapur plotësisht Ngushticën e Hormuzit, përndryshe do të përballej me shkatërrimin e centraleve të tij energjetike, duke nisur nga më i madhi. Kёto ishin fjalёt e tij.
Kam qenë në atë zyrë. Kam marrë vendime për përdorimin e forcës ushtarake, vendime që më kanë lënë pa gjumë dhe që i mbaj me vete edhe sot. Prandaj nuk e them këtë lehtë. Ajo që ndodhi mbrëmë nuk është thjesht një tjetër lajm i madh dhe as një tjetër postim i Donald Trumpit. Kjo është një vijë e kuqe e shpallur në rrjetet sociale nga një president në detyrë, në mes të një lufte të paautorizuar që ka hyrë tashmë në javën e saj të katërt.
Kjo situatë mund të prekë 90 milionë civilë iranianë, të çojë naftën mbi 150 dollarë për fuçi dhe ta tërheqë të gjithë rajonin në një luftë që askush nuk mund ta kontrollojë. Por shqetësimi im më i madh është ky: pyetja që duhet të bëjë çdo amerikan nuk është nëse Irani do ta hapë apo jo atë ngushticë. Pyetja është çfarë do të ndodhë me ne, me institucionet tona, me ekonominë tonë, me familjet punëtore që tashmë po paguajnë një dollar më shumë për gallon benzine se një muaj më parë, me pozitën tonë në botë dhe me vetë Kushtetutën. Sepse kur një demokraci shkon në luftë, mënyra se si shkon në luftë ka po aq rëndësi sa arsyeja pse shkon. Nё kёtё moment, tё dyja janё nё shumё rrezik.
Për të kuptuar pse ky ultimatum është kaq i rrezikshëm, duhet të kuptojmë si arritëm deri këtu. Kjo nuk lindi nga hiçi, edhe pse kështu mund të jetë dukur. Më 6 shkurt, Irani dhe Shtetet e Bashkuara ndodheshin në Gjenevë në negociata të tërthorta, të ndërmjetësuara nga Omani, për një marrëveshje bërthamore. Ishte diplomaci: puna e ngadaltë, e zymtë, që nuk prodhon tituj të mëdhenj, por shpëton jetë. Unë e di, sepse e kam bërë atë punë për tetë vjet.
Pastaj, më 28 shkurt, ndërsa bisedimet ishin ende në vazhdim, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën atë që e quajtën “Operacioni Epic Fury”: afro 900 goditje brenda 12 orëve kundër qyteteve iraniane, objektivave ushtarake, mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturës. Udhëheqësi suprem Ali Khamenei u vra, djali i tij Mojtaba mori pushtetin dhe, brenda natës, kaluam nga diplomacia në operacionin më të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme që nga Lufta e Irakut.
Dhe ja çfarë nuk po ju thuhet: Kongresi nuk votoi kurrë për këtë luftë. Dhoma e Përfaqësuesve u përpoq të miratonte një rezolutë për kompetencat e luftës më 4 mars, por dështoi. Senati tentoi sërish më 18 mars, por republikanët e bllokuan. Kjo do të thotë se jemi tashmë në javën e katërt të një lufte që përfaqësuesit e popullit amerikan nuk e kanë autorizuar kurrë.
Deri më 4 mars, Irani kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rrugën ujore nga ku kalon një e pesta e furnizimit botëror me naftë. Çmimet e karburantit u rritën ndjeshëm, nafta Brent kaloi 105 dollarë për fuçi dhe mbi 5 300 njerëz janë vrarë, përfshirë më shumë se 500 civilë. Vetëm dje, raketat iraniane goditën jugun e Izraelit, duke plagosur mbi njëqind persona, mes tyre edhe një djalë 10-vjeçar.
Në mes të gjithë kësaj, vetëm një ditë para ultimatumit, presidenti tha se lufta po shkonte drejt mbylljes. Njëzet e katër orë më vonë, ai kërcënoi me shkatërrimin e centraleve energjetike. Duhet të përballemi me këtë kontradiktë, sepse rruga që na solli këtu nuk ishte e pashmangshme. Ishte zgjedhje. Dhe zgjedhjet që do të bëhen tani do të na përcaktojnë si komb.
Le të ndalemi tek vetë deklarata e presidentit, sepse fjalët kanë rëndësi, sidomos kur shoqërohen me një numërim mbrapsht drejt shkatërrimit. Ai tha se nëse Irani nuk e hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit pa kërcënime brenda 48 orësh, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe do të shkatërrojnë centralet e tij energjetike, duke nisur nga më i madhi. Postuar nё orёn 23:44 tё sё shtunёs mbrёma. Dhe numёrimi mbrapsht mbaron mbrёmjen e tё hёnёs.
Kjo gjuhë ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Çfarë do të thotë konkretisht “ta hapë plotësisht pa kërcënime”? Në ato ujëra ka mina. Ka objekte bregdetare të shkatërruara. Garda Revolucionare Islamike vazhdon të jetë e pozicionuar në zonë. Vetë komandantët ushtarakë amerikanë kanë thënë se aftësia e Iranit për të goditur anijet është dobësuar. Pra, a bazohet ky ultimatum në realitetin ushtarak, apo në diçka krejt tjetër?
Dhe më pas është vetë objektivi i kërcënimit: centralet energjetike. Infrastruktura civile që furnizon me energji 90 milionë njerëz, spitale, sisteme ujësjellësi, shtëpi ku jetojnë fëmijë. Sipas Konventave të Gjenevës, goditja e objekteve të domosdoshme për mbijetesën e popullsisë civile ngre pikёpyetje të thella ligjore. Kjo nuk është një bazë ushtarake. Kjo është çelësi i dritës për një komb të tërë.
Reagimi i Iranit ka qenë po aq alarmues: ushtria iraniane paralajmëroi se do të godasë të gjithë infrastrukturën energjetike dhe të desalinizimit që i përket Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në rajon. Kjo do të thotë shtetet e Gjirit. Kjo do të thotë edhe objekte ku ndodhen të stacionuara trupa amerikane.
Dhe pikërisht këtu gjërat bëhen edhe më të rrezikshme, sepse duket se ka një hendek real mes asaj që komandantët në terren thonë se është arritur dhe asaj që kërkon ky ultimatum. Kur njerëzit që drejtojnë luftën dhe njeriu që e komandon atë nuk janë në të njëjtën linjë, kjo nuk është forcë. Është konfuzion. Dhe konfuzioni në çaste të tilla vret njerёz.
Do tregohem i kujdesshёm. E them këtë me respekt për presidencën. Kam jetuar në atë shtëpi. E kam mbajtur atë peshë. Dhe e di se çdo president përballet me momente kur të gjitha opsionet janë të këqija. Por di edhe diçka tjetër: mënyra si merret vendimi ka pothuajse po aq rëndësi sa vetë vendimi. Dhe ajo që pashë mbrëmë nuk ishte procesi i matur, institucional dhe i përgjegjshëm që kërkon ky moment.
Kur urdhërova sulmet ndaj Irakut në vitin 1998, u konsultova me ekipin tim të sigurisë kombëtare. Informova drejtuesit e Kongresit. Iu drejtova kombit nga Zyra Ovale. Kur vepruam në Kosovë, ndërtuam më parë një koalicion. A ishin ato vendime të debatueshme? Sigurisht. A pati njerëz që nuk ranë dakord me mua? Pa asnjë dyshim. Por kishte proces. Kishte llogaridhënie. Populli amerikan e dinte kush po merrte vendimin dhe pse.
Shpallja e një ultimatumi 48-orësh në rrjetet sociale nga rezidenca e fundjavës në Florida, një ditë pasi deklaron se lufta po shuhet, pa konferencë për shtyp, pa informim për Kongresin, pa një telefonatë për aleatët që varen nga ajo ngushticë për 90 për qind të energjisë së tyre, nuk është mënyra si duhet të veprojë një komandant i përgjithshëm.
Le të flasim për këtë lëkundje të papritur. Të premten tha: “po i afrohemi objektivave”. Të shtunën mbrëma: “do t’ju shkatërrojmë rrjetin energjetik”. Çfarë ndryshoi brenda 24 orësh? Çfarë informacioni i ri doli? Apo nuk ndryshoi asgjë? E nëse nuk ndryshoi asgjë, atëherë kjo nuk ka të bëjë me strategjinë.
Kur isha president, edhe kur nuk isha dakord me Kongresin, e kuptoja se sistemi funksionon vetëm kur të dy pushtetet qëndrojnë në dialog. Rezoluta për Kompetencat e Luftës e vitit 1973 ekziston pikërisht për momente si ky. Fakti që çdo përpjekje për ta aktivizuar atë është bllokuar duhet të shqetësojë çdo amerikan, pa dallim partie. Sepse presidenti i ardhshëm që qeveris pa frena mund të mos jetë ai për të cilin keni votuar.
Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me Iranin. Ka të bëjë me atë që po i ndodh vetë mekanizmit të demokracisë amerikane. Me institucionet që na bëjnë ata që jemi. Mendoni se çfarë ka ndodhur: një vendim që mund të zhysë 90 milionë njerëz në errësirë, që mund të shkaktojë goditje hakmarrëse në të gjithë Gjirin Persik dhe që mund të çojë çmimet e naftës në nivele të paimagjinueshme, u shpall në një platformë të mediave sociale, jo nga Salla e Situatës, jo pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, jo në koordinim me aleatët, por në Truth Social, një të shtunë në mbrëmje.
Unё vetё nuk jam njeri qё tronditet kollaj. Por kjo duhet të trondisë çdo amerikan që kujdeset për mënyrën se si qeveriset ky vend. Sepse kur vendimet për luftë dhe paqe merren në rrjete sociale, nuk është se po anashkalohet thjesht një hap procedural. Po i thuhet botës se institucionet që kemi ndërtuar për më shumë se 250 vjet, kontrolli, balanca, dhe konsultimet, nuk kanë më rëndësi.
Aleatët tanë po e shikojnë këtë. Japonia dhe Koreja e Jugut varen në masë të madhe nga nafta që kalon përmes asaj ngushtice. Vendet evropiane që qëndruan përkrah nesh pas 11 Shtatorit — Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia — nxorën një deklaratë të përbashkët duke dënuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Kjo duhej të kishte shërbyer si bazë për një veprim të përbashkët, për një koalicion të vërtetë. Në vend të kësaj, edhe ata e morën vesh për ultimatumin njësoj si unë dhe ju: duke klikuar lajmet nёpёr telefonat e tyre.
Kur punova me NATO-n gjatë Kosovës, ne nuk binim dakord për gjithçka. Por ngrinim telefonin, takoheshim, ndërtonim diçka së bashku. Dhe pikërisht sepse e bëmë këtë, ai koalicion qëndroi. Sot, kur presidenti kërcënon njëanshmërisht dhe flet për aleatët me përçmim, ai dërgon një sinjal të rrezikshëm jo vetëm te partnerët tanë, por edhe te Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut: se vendimmarrja amerikane është e paparashikueshme jo në mënyrë strategjike, por në mënyrë destabilizuese.
Dhe kur kundërshtarët nuk mund të parashikojnë më si do të sillemi, rreziku i llogaritjeve të gabuara rritet ndjeshëm. Ne nuk po vëmë nën presion vetëm politikën tonë të jashtme. Po gërryejmë arkitekturën që e mban atë në këmbë.
Dua të jem i sinqertë edhe për një gjë tjetër, edhe pse disa mund të ndihen në siklet. Sa herë që shoh një vendim që nuk ka kuptim strategjik, kam mësuar të bëj një pyetje tjetër: kujt i shërben? Para se të niste kjo luftë, unë thashë publikisht se Benjamin Netanyahu e kishte kërkuar prej kohësh një përballje me Iranin, sepse sa kohë ka luftë, ka edhe arsye për të qëndruar në pushtet. Dhe këtë e besoj ende.
Kjo nuk do të thotë se Izraeli nuk përballet me kërcënime reale. Përballet. Raketat që goditën dje Aradin dhe Dimonën janë reale. Djali 10-vjeçar në spital është real. Por pyetja nëse kjo luftë e caktuar, e nisur në këtë mënyrë, në këtë kohë dhe me këtë formë, i shërben sigurisë së popullit izraelit apo mbijetesës politike të kryeministrit të tij, është një pyetje që meriton të bëhet.
Këtu në vend, senatori Lindsey Graham po kërkon heqjen e bazave amerikane nga vendet që nuk bashkëpunojnë. Figura të linjës së ashpër brenda administratës po e paraqesin këtë si një mundësi historike për një brez të tërë. Ndërkohë, vetë presidenti është i bllokuar. Ai tha se lufta po shkonte drejt përfundimit. Tani ka shpallur një ultimatum që kërkon përshkallëzim.
Si të tërhiqesh nga kjo pa u dukur i dobët? Nuk mundesh. Dhe ky është problemi me ultimatumet e bëra për lajme, e jo nëpër dhomat e strategjisë.
Por çmimin e vërtetë nuk po e paguajnë ata që po i marrin këto vendime. Po e paguan familja në Ohio që po paguan një dollar më shumë për gallon karburant për të shkuar në punë. Po e paguan pronari i një biznesi të vogël që po sheh koston e transportit të rritet. Rritja e çmimit të karburantit është një taksë regresive: nuk godet të gjithë njësoj. Godet më fort ata që kanë më pak. Pikërisht ata të cilëve iu ishte premtuar lehtësim ekonomik.
Efektet tashmë po ndihen: çrregullime në zinxhirët e furnizimit, rikthim i frikës nga inflacioni, tregje të pasigurta. Të pasurit do ta përballojnë. Ata në fund të shkallës ekonomike do të shtypen. Pra, po i jepet përparësi përfitimit politik nga një qëndrim i ashpër ndaj Iranit, në vend të mirëqenies reale të familjeve amerikane. Kjo nuk është forcë. Është zgjedhje. Dhe është zgjedhja e gabuar.
Çfarë ndodh kur ora të mbarojë? Sipas meje, ka tre skenarë.
Në të parin, më të mundshmin, Irani pajtohet pjesërisht: lejon disa anije tregtare të kalojnë, ndoshta me kushte, por nuk e rihap plotësisht dhe pa kushte ngushticën. Administrata shpall një fitore të pjesshme, zgjat afatin në heshtje dhe shpreson që cikli i lajmeve të ecë përpara. Kjo mund të blejë pak kohë, por nuk zgjidh asgjë.
Në skenarin e dytë, Irani nuk pajtohet dhe presidenti vepron. Goditjet amerikane shkatërrojnë centrale energjetike në të gjithë Iranin. Nëntëdhjetë milionë njerëz mbeten pa energji. Spitalet mbesin në errësirë. Sistemet e ujit ndalojnë. Irani kundërpërgjigjet jo vetëm kundër Izraelit, por edhe kundër infrastrukturës energjetike dhe të ujit në gjithë Gjirin. Nafta jo thjesht rritet, por kapёrcen 150 dollarë për fuçi. Dhe në atë pikë nuk kemi më një konflikt të kufizuar, por një shpërthim rajonal pa dalje, pa koalicion dhe pa autorizim nga Kongresi.
Në skenarin e tretë, afati kalon dhe nuk ndodh asgjë. Shtetet e Bashkuara nuk godasin. Dhe në atë rast, besueshmëria amerikane, ajo që mban në këmbë çdo aleancë, çdo strategji penguese, çdo negociatë që zhvillojmë në botë, merr një goditje shkatërruese. Kundërshtarët e vënë re. Aleatët pyesin veten nëse fjala jonë ka ende peshë.
E vërteta e hidhur është se të tre skenarët e lënë Amerikën më keq sesa ishte përpara atij postimi. Sepse ky ultimatum është ndërtuar si instrument politik, jo si instrument strategjik. Kur e fut veten në një kuti me një afat që e ke shpikur vetë në rrjetet sociale, çdo rrugë dalje duket si humbje.
Ajo që më frikëson më shumë është kostoja njerëzore e skenarit të dytë dhe zbrazëtia strategjike e skenarit të tretë, në të njëjtën kohë. Sepse në luftë, gjërat nuk mbeten kurrë të izoluara. Ato përshkallëzohen.
Pra, ku na lë kjo? Na lë në një moment vendimtar që nuk i përket një njeriu të vetëm, por të gjithëve ne. U bëj thirrje të gjithë amerikanëve, pa dallim partie, t’u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të bëjnë detyrën kushtetuese: të votojnë për autorizimin e luftës, të zhvillojnë dëgjesa publike, ta detyrojnë administratën të shpjegojë qartë objektivat, bazën ligjore dhe strategjinë e daljes. Kjo nuk është partishmëri. Kjo është republika që funksionon siç është ndërtuar të funksionojë.
Në vitin 1991, përpara Luftës së Gjirit, Senati votoi 52 me 47 për përdorimin e forcës. Ishte një votim i ngushtë. Ishte përçarës. Senatorët dolën dhe mbrojtën argumentet e tyre pro dhe kundër. Dhe pikërisht sepse e bënë këtë, kur trupat amerikane hynë në luftë, e bënë këtë me peshën e plotë të legjitimitetit demokratik pas tyre. Kështu shkon një demokraci në luftë, jo me një postim në rrjetet sociale në mesnatë.
Duhet të kujtojmë çfarë është në rrezik në terma njerëzorë. Mbi 5 300 njerëz kanë vdekur në Iran, shumë prej tyre civilë. Mbi 100 izraelitë u plagosën vetëm këtë fundjavë. Ushtarakët amerikanë ndodhen tani në baza në të gjithë Gjirin, nën kërcënimin e kundërpërgjigjes për një konflikt që nuk e kërkuan. Dhe familjet këtu në shtëpi po shohin çmimet e karburantit të rriten pa fund, duke pyetur veten kur kjo do t’ua përmirësojë jetën, në vend që t’ua vështirësojë.
E besoj me gjithë zemër se forca dhe përmbajtja nuk janë të kundërta. Gjëja më e fortë që mund të bëjë Amerika tani është të veprojë përmes institucioneve të saj, me aleatët e saj, sipas ligjit, me objektiva të qarta dhe me autoritet moral. Kjo nuk është dobësi. Kjo është ajo lloj force që bota e respekton vërtet, sepse është forca që zgjat.
Masa e një kombi të madh nuk përcaktohet nga ajo që mund të shkatërrojë, por nga ajo që mund të ndërtojë dhe nga ajo që refuzon të thyejë. Tani, ne po thyejmë gjëra. Disa përtej kufijve tanë, po. Por edhe disa brenda vetë demokracisë sonë, gjëra që do të jenë shumë, shumë të vështira për t’u rindërtuar.
Megjithatë, ende besoj se mund ta bëjmë si duhet. E kam parë këtë vend të korrigjojë kursin më parë, ndonjëherë në momentin e fundit. Besoj në ndershmërinë themelore dhe në arsyen e shëndoshë të popullit amerikan. Prandaj kushtojini vëmendje. Flisni. Mbajini përfaqësuesit tuaj përgjegjës. Sepse kjo është ende Amerika. Dhe historia ende nuk ka përfunduar.
(Pёrkthyer dhe pёrshtatur nё shqip nga kontrasT.al)





