Pas më shumë se tetë mijë vitesh të fshehura nën dhe, eshtrat e një njeriu të lashtë po marrin sërish fytyrë. Shkencëtarët kanë realizuar rindërtimin digjital të pamjes së tё ashtuquajturit “Kennewick Man” – një prej skeleteve njerëzore më të vjetër dhe më të diskutuar të zbuluar ndonjëherë në Amerikën e Veriut. Rezultati është një portret që sjell për herë të parë përpara syve tanë pamjen e një njeriu që jetoi rreth 8,500 vjet më parë.
Mbetjet e tij u zbuluan në vitin 1996 pranë lumit Columbia, në shtetin e Uashingtonit. Skeleti ishte jashtëzakonisht i ruajtur dhe pothuajse i plotë, duke u kthyer shpejt në objekt debatesh shkencore dhe kulturore mbi origjinën e popullsive të hershme të kontinentit amerikan.
Tani, një studim i publikuar në OrtogOnLineMag ka arritur të rikrijojë tiparet e fytyrës së tij përmes teknikave moderne të antropologjisë forenzike. Biologu brazilian Cicero Moraes, autor kryesor i punës, shpjegon se procesi u bazua në skanimin tridimensional të kafkës dhe në të dhëna mjekësore mbi trashësinë mesatare të indeve të buta të fytyrës. Më pas, një model digjital i kokës u përshtat anatomikisht mbi strukturën kockore, duke krijuar një portret biologjikisht të besueshëm. Një version i dytë i rikonstruksionit shton elementë më spekulativë, si ngjyra e lëkurës dhe flokët, për ta bërë figurën më të gjallë për publikun.
Por fytyra është vetëm fillimi i historisë.
Skeleti i “Kennewick Man” tregon shenja të një jete të vështirë. Studiuesit kanë identifikuar dëmtime të shumta fizike: një shtypje në kafkë, brinjë të thyera, një frakturë në shpatull dhe, më dramatikja, një majë shtize guri e ngulur ende në kockën e legenit. Ka edhe shenja të një gjendje që vjen nga ekspozimi i shpeshtë në ujë të ftohtë, çka sugjeron se ai kalonte shumë kohë në mjedise ujore, ndoshta duke peshkuar. Dhëmbët e konsumuar dhe nyjet me shenja artriti të lehtë flasin për vite të tëra mbijetese në kushte të ashpra.
Shkaku i vdekjes mbetet i paqartë, por studiuesit vërejnë se dëmtimi në shpatull ka ndodhur shumë pranë momentit të fundit të jetës së tij.
Përtej historisë personale, “Kennewick Man” ka pasur ndikim të madh në mënyrën si kuptohet migrimi i hershëm njerëzor në Amerikë. Për dekada u debatua nëse ai përfaqësonte një linjë të veçantë njerëzore, ndoshta të zhdukur, apo ishte i lidhur me paraardhësit e popullsive indigjene amerikane të sotme. Studimi i fundit mbështet tezën se ai i përket linjës paleo-indiane dhe është i afërt me paraardhësit e komuniteteve vendase moderne, duke rrëzuar teori më të vjetra që sugjeronin origjinë të shkëputur euroaziatike.
Sipas vlerësimeve, ai ishte rreth 1.73 metra i gjatë, peshonte 70–75 kilogramë dhe ushqehej kryesisht me produkte detare dhe ujëra të shkrirjes akullnajore. Nga 350 fragmente kockash të ruajtura, shkencëtarët sot kanë arritur të rindërtojnë jo vetëm skeletin, por edhe historinë e një jete të tërë.
Rikonstruksioni digjital nuk është një fotografi e saktë, por një afrim shkencor. Megjithatë, ai sjell diçka të rrallë: një takim ballë për ballë me një njeri nga thellësitë e parahistorisë. Një fytyrë që del nga errësira e mijëvjeçarëve për të na kujtuar se historia njerëzore në këtë kontinent nisi shumë më herët – dhe ishte shumë më e ashpër – sesa mund ta imagjinonim.
(Burimi: indiandefencereview)






