Seria Galaxy S e Samsung vazhdon të jetë qendra e vëmendjes në botën Android – dhe me afrimin e eventit të radhës “Unpacked”, rrjedhjet për Galaxy S26 janë më të shumta se kurrë. Edhe pse asgjë nuk është zyrtare, burime të njohura të industrisë kanë zbuluar detaje për datën e prezantimit, dizajnin, kamerat, performancën, inteligjencën artificiale dhe çmimin e gjeneratës së re.
Sipas disa burimeve të besueshme, Samsung pritet ta prezantojë serinë Galaxy S26 më 25 shkurt 2026 në San Francisko, ndërsa pajisjet mund të dalin në treg në fillim të marsit. Ky do të ishte një prezantim pak më i vonuar se zakonisht, por brenda kalendarit tradicional të kompanisë.
Këtë herë, linja e modeleve pritet të thjeshtohet. Pas pesë varianteve të serisë S25, Samsung mund të prezantojë fillimisht vetëm tre modele: Galaxy S26, S26 Plus dhe S26 Ultra. Modeli i hollë “Edge” raportohet se është hequr nga planet për shkak të performancës së dobët tregtare, ndërsa versioni FE mund të vijë më vonë.
Pamjet e para sugjerojnë një dizajn të ri për modulet e kamerës, me ishuj vertikalë të ngjashëm me stilin e fundit të Apple. S26 dhe S26 Plus pritet të kenë tre kamera në modul vertikal, ndërsa S26 Ultra do të ruajë konfigurimin me sensorin kryesor 200MP. Ngjyrat e raportuara përfshijnë të zezë, të bardhë, blu galaktike dhe vjollcë. Një detaj interesant është se Samsung mund të braktisë kornizën prej titani dhe të rikthehet te alumini.
Ndryshime priten edhe te stilolapsi S Pen. Samsung thuhet se po ridizenjon teknologjinë e tij për ta bërë plotësisht tё pёrputhshёm me aksesorët magnetikë të karikimit pa tel.
Madhësitë e ekraneve pritet të jenë:
– Galaxy S26: 6.27 inç
– Galaxy S26 Plus: 6.7 inç
– Galaxy S26 Ultra: 6.9 inç
Në aspektin e softuerit, seria S26 do të vijë me Android 16 dhe One UI 8.5. Për herë të parë, Samsung raportohet se po negocion integrimin e motorit të kërkimit me AI “Perplexity”, i cili mund të përfshihet në shfletuesin e kompanisë dhe në versionin e ri të Bixby.
Për performancën, Galaxy S26 Ultra pritet të përdorë procesorin Snapdragon 8 Elite Gen 5 globalisht, ndërsa modelet bazë dhe Plus në disa tregje mund të vijnë me Exynos 2600. Testet e para sugjerojnë se Exynos i ri është pothuajse në të njëjtin nivel me Snapdragon-in. RAM-i pritet të jetë 12 GB në të gjitha variantet, megjithëse disa burime flasin për 16 GB.
Në sektorin e kamerave, ndryshimet nuk do të jenë revolucionare. Modelet S26 dhe S26 Plus pritet të ruajnë konfigurimin 50MP + 12MP + 10MP. Ndërsa S26 Ultra do të mbajë sensorin 200MP, por me hapje më të madhe f/1.4 për më shumë dritë. Një funksion i ri 24MP për foto dhe portrete pritet të shtohet përmes Camera Assistant.
Për baterinë dhe karikimin, Samsung më në fund mund të ofrojë karikim të plotë Qi2 me magnetë të integruar. Karikimi wireless mund të shkojë deri në 25W, ndërsa karikimi me kabllo për Ultra pritet të rritet në 60W.
Sa i përket çmimit, rritja e kostos së memories RAM pritet të ndikojë edhe te Galaxy S26. Burime nga Koreja e Jugut flasin për një rritje prej 40–60 dollarësh për model. Kjo do të sillte çmime të përafërta:
– S26: rreth 850$
– S26 Plus: rreth 950$
– S26 Ultra: rreth 1,350$
Derisa Samsung të ngjitet në skenën e eventit reklamues, gjithçka mbetet në nivel burimesh. Por nëse këto informacione konfirmohen, Galaxy S26 pritet të jetë një evolucion i fortë në performancë dhe AI, edhe pse pa ndonjё ndryshim thelbёsor në kamera.
(Burimi: PCMag)






