Një politikan lokal i partisë së djathtë ekstreme AfD (Alternativa për Gjermaninë) në landin Meklenburg–Pomerania Perëndimore është nën hetim penal pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe ka poshtëruar rëndë tre të mitur.
Sipas raportimeve të televizionit rajonal NDR, tre djem po lëviznin me biçikleta, ndërsa në kornizën e njërës ishte lidhur një flamur gjerman. Video të dërguara në redaksitë mediatike tregojnë skena tronditëse: fyerje verbale, shtyrje, goditje me shkelma dhe akte poshtërimi ndaj të miturve.
Sipas dëshmive të fëmijëve, autori i dhunës është Philip Steinbeck, këshilltar distrikti i AfD-së në Jessenitz. Në pamje shihet se si ai i godet me shkelma, i tërheq nga veshi dhe i fyen rëndë. Një nga momentet më të rënda të incidentit tregon Steinbeck-un duke i detyruar djemtë të mbledhin flamurin nga toka dhe ta lëpijnë atë ndërsa janë në gjunjë.
Policia gjermane ka konfirmuar se po zhvillon hetime për dëmtime të rrezikshme trupore, fyerje dhe shtrëngim, por për arsye ligjore dhe privatësie nuk ka bërë publik emra. Megjithatë, dy nga tre të miturit kanë depozituar kallëzim penal, duke e identifikuar Steinbeck-un si autor të ngjarjes.
Dega rajonale e AfD-së reagoi duke deklaruar se, nëse videot konfirmohen si autentike, rasti do të ishte “plotësisht i papranueshëm” dhe se do të pasonin masa të brendshme disiplinore.
Ngjarja merr përmasa edhe më shqetësuese për shkak të së kaluarës së politikanit. Në muajin gusht, policia bastisi banesën e tij në një zonë rurale dhe sekuestroi dhjetëra armë dhe rreth një mijë fishekë. Një vit më parë, Steinbeck kishte tërhequr vëmendjen publike edhe për një udhëtim në Rusi, ku u shfaq me flamuj gjermano-rusë dhe bëri deklarata për një miqësi “të përjetshme” me Moskën.
Hetimet për rastin janë ende në vazhdim.
(Burimi: Berlinomagazine)






